Agjencia Zhurnal.mk

Takim Zaev – Holshtajn: LSDM po zhvillon bisedime serioze për formimin e Qeverisë

Shkup, 6 gusht – Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev sot e informoi ambasadoren gjermane në vend, Anke Holshtajn se partia e tij po zhvillon bisedime serioze për të formuar shumicë të re, të qëndrueshme parlamentare dhe një qeveri të re që do të funksionojë në interes të qytetarëve.

Siç theksoi Zaev në takimin me Holshtajn, zhvillimi dhe përparimi i ekonomisë, si dhe reformat gjyqësore do të jenë prioritetet kryesore të Qeverisë së re.

“Ne po zhvillojmë një proces bisedimesh përmes të cilit do të sigurojmë shumicë të qëndrueshme parlamentare përmes së cilës do të sigurojmë qeveri të re, përgjegjëse me një mandat të plotë katër vjeçar. Negociatat me BE-në, për parashikueshmërinë dhe sigurinë ekonomike është e nevojshme shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe formim i një qeverie të qëndrueshme, përgjegjëse që do të ecë përpara shpejt. Zhvillimi dhe promovimi i ekonomisë dhe reformat në gjyqësor do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re të udhëhequr nga LSDM-ja dhe do ta dëshmojmë këtë në njëqind ditët e para të mandatit”, tha Zaev.

LSDM-ja informon se ambasadorja Holshtajn i ka uruar “zgjedhjet e organizuara me sukses, të lira dhe demokratike më 15 korrik”. Ajo gjithashtu shprehu besim se Gjermania vazhdon të jetë edhe më e përkushtuar për ta mbështetur Republikën e Maqedonisë së Veriut në arritjen e qëllimit të saj strategjik – anëtarësimin në BE.

Përveç situatës aktuale politike në vend dhe procesit të integrimit evropian, në takim u diskutua edhe situata me koronavirusin, si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

Lideri i LSDM-së tha se vendi nuk ka një mik më të madh dhe mbështetës më të fortë të rrugës euro-atlantike se sa Gjermania.

“Ne jemi vërtet mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë gjatë gjithë këtyre viteve nga Gjermania, jo vetëm nga kancelarja Angela Merkel, por edhe nga ministrat e Punëve të Jashtëm, anëtarët e Bundestagut, eurodeputetët gjermanë. Është një nder dhe një privilegj për ne që të kemi një aleat të fortë dhe të ndershëm në rrugën evropiane, siç është Gjermania. Jemi të bindur që përmes reformave, përmes procesit të Berlinit që do ta udhëheqim për herë të parë si vend kandidat, do t’i japim të gjitha argumentet për nisjen e negociatave, gjatë presidencës gjermane me Unionin”, porositi Zaev.//Zhurnal.mk

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...