Agjencia Zhurnal.mk.

Talibanët po kufizojnë mediat, thonë Reporterët pa Kufij

Organizata “Reporterët pa Kufij” thotë se talibanët në Afganistan po imponojnë “kufizime shumë të rënda” në media.

Sipas kësaj organizate, ka rritje të kërcënimeve, presioneve dhe ndonjëherë dhunës nga ana e talibanëve ndaj mediave, derisa ata po vendosin rregulla të reja çdo ditë.

Reporterët pa Kufij i bënë pretendimet përmes një deklarate më 24 gusht.

Të paktën 10 gazetarë janë kërcënuar ose sulmuar gjatë kryerjes së punës së tyre në rrugët e Kabulit dhe Xhalalabadit brenda një jave, tha organizata, duke shtuar se rreth 100 media private në të gjithë vendin e ndalen punën e tyre sapo talibanët morën kontrollin.

“Gjatë një jave talibanët rrahën pesë gazetarë dhe kameramanë nga kanali ynë”, citoi organizata një punëtor të një kanali televiziv privat, i cili për arsye të sigurisë foli në kushte anonimiteti.

“Ata kontrollojnë gjithçka që transmetojmë”, tha ai.

Ndërkohë, mediat janë detyruar të pezullojnë një pjesë të programeve të tyre sepse talibanët i urdhëruan ata të respektojnë ligjin islam, thonë Reporterët Pa Kufij.

“Serialet dhe programet sociale janë ndalur. Ne transmetojmë vetëm buletine të shkurtra lajmesh dhe dokumentarë arkivorë”, tha një punëtor i një stacioni televiziv privat.

Një drejtor i një radioje private në veri të Kabulit i tha organizatës se militantët talibanë “kanë filluar të na udhëzojnë se çfarë informacione mund të transmetojmë”.

Korrespondentët e huaj që mbetën në kryeqytet nuk janë “subjekt i këtyre rregullave dhe arrijnë të punojnë pothuajse normalisht, por për sa kohë?” shtron pyetjen oganizata.

“Ne përfitojmë nga fakti se talibanët ende kërkojnë legjitimitet dhe ardhja në ditët e fundit e kanaleve kryesore televizive ndërkombëtare, na mbron neve. Vështirësitë e vërteta do të fillojnë kur të jemi përsëri vetëm”, u citua të thoshte një gazetar i huaj.

Hapja e shumë mediave ishte vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të Afganistanit në 20 vjetët e fundit. Nën regjimin taliban deri më 2001 mediat e pavarura ishin të ndaluara.

Që kur e morën pushtetin në Kabul, grupi militant është munduar të paraqesë një pasqyrë mbase më të moderuar, duke u zotuar të mbrojë mediat e lira dhe të drejtat e grave – edhe pse brenda kornizës së rregullave të Islamit.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, tha më 17 gusht se grupi do të jetë “ndryshe” në kuptimin pozitiv nga sundimi i tyre në vitet 1996-2001.

Gjatë konferencës së parë për media që nga marrja e kontrollit, Mujahid tha se mediat private “do të mbeten të pavarura”, por, sipas tij, gazetarët “nuk duhet të punojnë kundër vlerave kombëtare”.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, pas vendimit të presidentit Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kishin rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Related posts

Banka gjermane ngrin llogarinë e shoqatës hebreje antisioniste

Xh M

Qeveria spanjolle bllokon iniciativën për pavarësinë e Katalonjës

Xh M

Katër të vrarë gjatë një sulmi me thikë në SHBA

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy