Talibanët shpallin Qeverinë e re të Afganistanit

Talibanët njoftuan se kanë krijuar Qeverinë e re të Afganistanit, e cila do të udhëhiqet nga njëri prej themeluesve të tyre.

 

Zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid, tha se në krye të Qeverisë do të jetë Mullah Mohammad Hassan Akhund, ndërsa zëvendës i tij Mullah Abdul Ghani Baradar.

Mawlawi Haibatullah Akhundzada do të jetë udhëheqës suprem.

“I siguroj të gjithë bashkatdhetarët se figurat do të punojnë drejt respektimit të rregullave islame dhe Ligjit të Sheriatit”, tha Akhundzada pas emërimit.

Talibanët kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit më 15 gusht.

Një ditë më herët, ata thanë se kanë marrë nën kontroll edhe provincën Panjshir – zonën e fundit që kontrollohej nga forcat e rezistencës.

Këto të fundit, megjithatë, i hodhën poshtë pretendimet e tilla dhe thanë se luftimet vazhdojnë.

Mujahid i përshkroi emërimet e reja si udhëheqës “në detyrë” dhe tha se mund të ketë ndryshime në të ardhmen.

“Ne e dimë që njerëzit e vendit tonë kanë qenë në pritje të një Qeverie të re”, tha Mujahid, duke shtuar se “grupi u është përgjigjur nevojave të njerëzve”.

Një zëdhënës tjetër i talibanëve, Ahmadullah Masiq, konfirmoi për BBC-në se Afganistani duhet të njihet si “Emirati Islamik i Afganistanit” – titull që grupi ka përdorur gjatë sundimit të tij në periudhën 1996-2001.

Akhund, i cili pritet të udhëheqë punët e përditshme të regjimit të ri – diçka e ngjashme me rolin e kryeministrit – është në listën e terrorizmit të Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 2001.

Akhundzada, si udhëheqës suprem, do të ketë fjalën e fundit në çështjet politike, fetare dhe ushtarake.

Emërimet e tjera përfshijnë Mawlawi Amir Khan Mutaqqin si ministër i Jashtëm dhe
Mullah Mohammad Yaqoobin si ministër i Mbrojtjes.

Sarajuddin Haqqani, i cili u emërua ministër i Brendshëm, është udhëheqës i grupit militant të njohur si rrjeti Hakani.

Hakani është i lidhur me talibanët dhe ka marrë përgjegjësinë për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në Afganistan.

Related posts

BE-ja nuk e harron përgjegjësinë që pati për parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë

D V

Varianti Mu i coronavirusit është identifikuar në pothuajse çdo shtet amerikan

D V

Pas SHBA-së edhe Britania do t’i largojë trupat nga Afganistani

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More