Shkup, 21 qershor – Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarë tha se se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë e tjera shqiptare.
“Edhe kur kemi qenë opozitë edhe kur kemi qenë kritikues të BDI-së përsëri kemi qenë të gatshëm çdoher të ulemi me të gjitha partitë politike shqiptare dhe përsëri po vazhdoj atë ta mendoj. Me cilin do të ulemi në tavolinë se si do të vazhdojë të gjitha kombinimet janë të mundshme”, theksoi Taravari në “ClickPlus”.
Taravari, poashtu tha se dyshon se VMRO-DPMNE-BDI koordinohen për sulme mes tyre për të rritur rejtingun e partive të tyre.
“Sjellja e VMRO-DPMNE-së praktikisht i bën publicitet BDI-së, bile i kam thënë publikisht edhe me disa eksponentë të BDI-së, unë kam menduar se jeni të koordinuar dhe kam pasur përshtypje se BDI dhe VMRO-DPMNE koordinohen vazhdimisht të goditen me njëri tjetrin sepse kështu e rrisin rejtingun e partisë. Kam shpreh keqardhje se nuk e kanë përmend dhe ASh-në të na bënin publicitet”, tha Taravari në vazhdim.
Mirëpo analizë të veçantë Meriton pjesa e parë e deklaratës së kryetarit të ASH-së, lidhur me gatishmërinë për ulje në tavolinë me të gjitha partitë shqiptare, shkruan Zhurnal.
Parashtrohet pyetja se cilat mund të jenë pikat rreth të cilave mund të bisedojnë në këtë moment mes vete partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Sigurisht që janë të shumta!
Si pikë e parë padyshim mund të jetë çështja e 20 %. Kjo çështje është komplikuar për shkak se po ndërlidhet me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komunitetit bullgar. Për momentin është krijuar bindja se ndryshimet kushtetuese për bullgarët janë vështirë të arritshme, e në rast se parashtohet edhe kërkesa për heqjen e 20 për qindëshit, atëherë ato ndryshime do të bëhen edhe më të vështira dhe me këtë do të pengohet procesi negociues i vendit. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë në pozitë të vështirë për këtë arsye. Por ulja e përbashkët e gjitha subjekteve shqiptare në një tavolinë dhe një dikustim serioz, me siguri do të rezultonte me gjetjen e një zgjidhje që shfuqizon 20 për qindëshin nençmues, por edhe nuk do të pengon procesin negociator, shkaku se fati i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë është reciprokisht i lidhur, shkruan Zhurnal.
Çështje tjetër që do të mund ta diskutonin bashkërisht partitë shqiptare, mund të jetë një strategji për shpërndarje proporcionale të investimeve që vijnë në vendin tonë. Edhe pse ato janë investime private dhe fjalën e fundit e kanë investitorët se ku dhe sa do investojnë, megjithatë vendimi i tyre në masë të madhe varet edhe prej asaj se çfarë kushte u krijon shteti dhe në cilat pjesë u krijon. Në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut duket se ka shumë për t’u dëshiruar në këtë aspekt.
Poashtu shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, respektivisht subjektet nga të cilat përfaqësohen, do të ishte mirë që më në fund të ndërtojnë qëndrim të përbashkët lidhur me zhvillimet në rajon.
Duhet pasur qëndrim të përbashkët për zhvillimet në Veriun e Kosovës, ku serbët vazhdojnë të shkelin rendin dhe qetësinë, duke sulmuar policinë kosovare, KFOR-in e gazetarët. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është mirë të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët edhe për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, iniciativë që po promovohet nga Shqipëria, por po kundërshtohet nga Kosova. Kjo ka reflektuar ndoshta që partitë shqiptare tek ne të kenë qëndrime të ndryshme rreth saj, shkruan Zhurnal.
Në një tryezë të thirrur prej partive politike shqiptare në vendin tonë, do të ishte mirë që të ftohen edhe përfaqësues të partive maqedonase, që të mos krijohen situate të palakmueshme si në të kaluarën, kur tek maqedonasit krijoheshin dyshime se shqiptarët po takohen dhe po bisedojnë për gjëra në dëm të Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, do të ishte një rast i mirë që partitë maqedonase të binden se koordinimi mes partive politike shqiptare është në të mirë të vendit dhe qytetarëve të saj, ashtu siç mendojnë shqiptarët për takimin mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski. /Zhurnal