Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Taravari: Zaev e Osmani me sukses po zbatojnë politikat e jashtme pro ruse

Shkup, 26 dhjetor, Zhurnal.mk – Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp ka akuzuar pushtetin se si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar zbatimin e sanksioneve që BE ka vendosur për Rusinë.

“Arsyeja e kësaj Konference është se jemi jashtëzakonisht të shqetësuar në lidhje me mos-harmonizimin e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet evropiane kundër Rusisë, në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.

Politika e jashtme dhe e sigurisë së BE-së bazohet në akte ligjore dhe në dokumente politike, siç janë sanksionet dhe restrikcionet. Vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, kanë për obligim ligjor të rreshtohen me deklaratat e BE dhe të zbatojnë sanksionet evropiane kur kërkohet një gjë e tillë nga Brukseli.

Në marsin e vitit 2014, BE ka vendosur masa kufizuese kundër Rusisë, përfshirë masa diplomatike, ngrirje të aseteve dhe ndalesa udhëtimi, si dhe sanksione ekonomike.

Departamenti për euro-integrime i Aleancës për Shqiptarët, ka analizuar të gjitha deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, që kanë të bëjnë me respektimin e sanksioneve,  ku rezultatet dhe konkludimet tona janë shumë shqetësuese për RMV.

Që kur Zoran Zaev u bë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Këshilli i BE-së ka marrë 21 vendime për të vazhduar dhe zgjeruar sanksionet ndaj Rusisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk është rreshtuаr me këto vendime. Pra, qeveritë Zaev I dhe Zaev II, plot 21 herë kanë refuzuar sanksionet ndaj Rusisë.

Ky është një trend shumë shqetësues! Në njërën anë kemi Shqipërinë dhe Malin e Zi, plotësisht të rreshtuar me BE. Ndërsa, në anën tjetër kemi Maqedoninë e Veriut të Zoran Zaevit dhe Serbinë e Vuçiçit, që refuzojnë sanksionet evropiane kundër Rusisë.

Por, ajo që në këtë rast na shqetëson edhe më shumë, është fakti se Ministria e Jashtme udhëhiqet nga një shqiptar, i cili po na vë në anën e Vuçiçit, Dodikut dhe të Putinit. 

Më 10 shtator 2020 dhe më 1 tetor 2020, Këshilli i BE vazhdoi dhe zgjeroi sanksionet kundër Rusisë, dhe Bujar Osmani si Ministri i ri i Punëve të Jashtme në kabinetin Zaev II, nuk është rreshtuar me vendet e BE.

Bujar Osmani, i cili akuzon të tjerët se janë dora e zgajtur e Kremlinit, në fakt me sukses po zbaton politikën e jashtme pro-ruse të Dimitrovit, që kur e ka marrë detyrën.

Qytetarët meritojnë të dinë se si një qeveri që deklaron veten pro-Evropiane dhe një Ministër që pretendon se dielli i tij lind në Perëndim, nuk i përmbush detyrimet e një vendi kandidat për në BE, por preferon të rreshtohet me Rusinë? 

A është kjo për shkak se qeveria po mbron pasuritë e njerëzve të Putinit dhe lirinë e tyre të lëvizjes? Apo është për të mbrojtur interesat ekonomike ruse në Maqedoninë e Veriut?

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kërkon nga Bujar Osmani të përgjigjet në këto pyetje para qytetarëve dhe të harmonizojë menjëherë politikën e jashtme të vendit me atë të BE-së, për të gjitha çështjet ku kërkohet një gjë e tillë.

BE nuk është lavatriçe për politikanë të korruptuar që mbështesin Putinin dhe agresionin Rus, ndërsa kërkojnë integrim në BE.

Maqedonia e Veriut duhet të sillet si një vend kandidat, e jo si të ishte ndonjë republikë ish-sovjetike, sepse këtë gjë e presin qytetarët tanë dhe e imponojnë edhe detyrimet tona ligjore ndaj BE-së.”, tha Taravari

Postime të ngjashme

I riu vuan nga leukemia akute, kërkon ndihmën tuaj

D J

“Arratisja” dhe “rishfaqja” e Mijallkovit, një farsë e madhe!

D J

Covid-19, regjistrohen 725 raste të reja

D J

“Dhoma Publike”, aktivistët kërkojnë dënim për anëtarët e grupit

D J

Protestat për ‘Monstrën’, kërcënon maqedonasi: Do t’ju “shkelë me kamion”(Foto)

D J

Spasovski-Kozhuvarovska: Në rritje siguria në komunikacion

D J

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...