Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët, në ClickPlus ka dërguar kritika deri te autoritetet shëndetësore për masat anti-Covid.
Sipas tij të gjitha masat e miratuara, janë të vonuara. Kjo ka ndodhur që prej fillimit të pandemisë.
“Prej fillimit të pandemisë masat kanë qenë të vonuara. Ne si departament i shëndetësisë në kuadër të Aleancës për Shqiptarët i kemi ndjekur që nga fillimi. Unë mendoj, se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ndikohet nga vendimet politike”, tha Tateshi.
Ndërsa zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani është përgjigjur kreut të BFI-së, Shaqir Fetahut ku thotë se do të kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që të lejohet falja e namazit të teravisë në ditët e fundit të Ramazanit.
Hasani në ClickPlus tha se do të lejojnë kryerjen e këtij rituali mysliman, por nëse lejojnë numrat e rasteve pozitive dhe të viktimave nga Covid-19.
“Patjetër se po. Është prioritet i të gjithë aspekti shpirtëror i ynë dhe është imperativ se ne të gjithë duhet të punojmë në plotësimin e kërkesave shpirtërore”, tha Hasani.
Më tej shtoi: “Por nëse shohim se numrat nuk na lejojnë, është e palogjikshme t’i japim prioritet spiritualiteti para numrave të vdekjeve”.