Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Të dënohen ashpër mediat që nxisin urrejtje!

Editorial , Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 15 maj – Roli i mediave në shoqëritë moderne kurrë nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa që është në ditët e sotme. Gazetaria nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme sesa tani, kur po shohim një shpërthim të mediave sociale. Informimi i fundit për vrasjen në Butel, nxori në pah edhe njëherë defektet në informimin profesional dhe nxitjen e urrejtjes midis komuniteteve.

Informim tendencioz i mediave në gjuhën maqedonase

Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase nuk e kanë trajtuar aspak në mënyrë profesionale vrasjen në Butel të Shkupit, një ditë para festës së Fitër Bajramit. Të etur që kush i pari do të dal me informacione ekskluzive, mediat kanë spekuluar disa herë për motivet e vrasjes, për personat e vrarë dhe për lidhjet e tyre farefisnore. U spekulua se personi i dytë i plagosur ishte nipi i viktimës, e që në fakt u mohua kategorikisht ta familjarët e tij.

Pavarësisht këtyre rrethanave, qëllimi është se si mediat në gjuhën maqedonase duke përdorur gjuhë të urrejtjes tentuan të njollosin dhe të bastardojnë kaq shumë këtë rast sa edhe një aksident trafiku të ndodhur një ditë më vonë në Hasanbeg të Shkupit e quajtën si hakmarrje midis bandave, duke spekuluar se ka të vrarë dhe të plagosur. Të gjitha këto lajme, dolën si spekulime pa u verifikuar aspak se për çfarë bëhet fjalë, e në këtë formë edhe duke e tjetërsuar të vërtetën. Në fakt “Zhurnal” që ishte në vendin e ngjarjes informoi se bëhet fjalë vetë, për një aksident trafiku i shkaktuar nga pakujdesia e shoferëve dhe në asnjë moment nuk kishte as të shtëna, as vrasje e as të plagosur.

Lajmi që u liferua nëpër media e prishi atmosferën festive të besimtarëve myslimanë dhe në këtë mënyrë e la një shije të keqe të kësaj atmosfere, shkruan Zhurnal.mk.

Misioni i mediave është më i madh se vetëm informimi

Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si gazeta, TV dhe radio, pasi që është shtuar numri i mediave që transmetohen përmes internetit apo mediave ‘online’.

Që roli i tyre të jetë me ndikim pozitiv në shoqëri dhe rrjedhat e përgjithshme, nevojitet që të ketë një gazetari të përgjegjshme dhe objektive.

Gazetarët në Maqedoni ballafaqohen me probleme të ndryshme sepse demokracia në këtë vend është ende e re. Pavarësisht nëse flitet për problemet në shoqëri, si tensionet etnike, korrupsioni e tjera, mediat kanë rol të rëndësishëm.

Dallimet etnike, fetare dhe shoqërore, mund të keqpërdoren nga individë të caktuar të cilët duan të shkaktojnë mospajtime dhe përçajnë komunitetet. Andaj, pikërisht këtu, vjen në shprehje gazetaria e përgjegjshme për hulumtimin e vërtetë të ngjarjeve e rrethanave dhe prezantimin e tyre para publikut. Krahas informimit objektiv dhe të përgjegjshëm, teknologjia u ofron mediave informim sa më të shpejtë të publikut.

Një lajm i rremë e djeg botën mbarë

Populli thotë që “një fije shkrepëse e djeg botën mbarë” dhe pikërisht kështu është edhe me mediat të cilat me një dezinformatë të vetëm mund të bëjnë dëm sa të digjet e gjithë bota. Ndërtimi i imazhit për një shtet demokratik dhe multietnik është shumë i vështirë, por më i vështirë bëhet kur media të caktuara dhe të papërgjegjshëm e rrënojnë këtë të arritur brenda një sekonde. Në të kaluarën ka pasur shumë lajme të “zeza” ku trajtoheshin kryesisht shqiptarët me ose pa fakte duke i konsideruar ata si faktorë të destabilizimit. E atmosfera që krijohej nëpër media e nxiste edhe më shumë urrejtjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve, reagimet e të cilëve më vonë ndikonin në zënkat mes grupeve të tifozëve, mes nxënësve, mes moshave të ndryshme dhe sidomos rrahje të personave të pafajshëm. E gjithë kjo si rezultat i gjuhës së urrejtjes që ndodhte dhe ushqehej nga mediat.

Pas ndryshimit të pushtetit dhe marrjen e disa masave për dënimin e këtyre spekulimeve, kjo dukuri u zvogëlua, por me rastin e fundit sërish doli në skenë vjellja vrer ndaj një grupi etnik. Nuk mund të akuzosh të gjithë shoqërinë për dikë që ka bërë si individ një vepër negative, por më e keqja është se nuk guxon të shpifësh për diçka që as nuk ka ndodhur. Andaj, pushteti dhe ligjvënësit duhet ta kenë shumë të qartë që media të tilla të marrin dënimin e merituar për nxitje të urrejtjes dhe konflikteve të mundshme. Kjo mënyrë e bërjes gazetari me “thash e theme” nuk guxon të ndodhë më e as më pak të publikohen shpifje e akuza nga më absurdet.

Postime të ngjashme

Qeveria emëron Muharrem Asanin, zëvendësdrejtor në Dogan

R Zh

Kryetari i Sarajit Blerim Bexheti njofton se nënshkruan kontratën për rikonstruktimin e rrugës kryesore

R Zh

Digjet deponia e egër në Labunisht, banorët në hall po helmohen nga tymi dhe gazrat

Dafina Vidishiqi

Zbulohen 13 emigrantë në autostradën Kumanovë – Tabanoc

Dafina Vidishiqi

Bisedimet për Kodin Zgjedhor, drejt dështimit

Dafina Vidishiqi

Zaev: Pro listave të hapura për këshilltarët

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...