Të dielën fillon regjistrimi, po bëhen përgatitjet e fundit

Shkup, 3 shtator – Autoritetet thonë se gjithçka është gati për të filluar dhe të mbahet regjistrimi, si dhe nuk presin probleme. Paralajmërojnë se ka zgjidhje edhe për ata qytetarë të cilët nuk duan të pranojnë regjistrues të pavaksinuar, dhe se atyre do t’u dërgohen regjistrues të vaksinuar.

 

Kryeministri Zoran Zaev dje tha se nuk pret probleme me regjistrimin e popullsisë, dhe në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se si të zgjidhen situatat me ata qytetarë që nuk do të pranojnë regjistrues të pavaksinuar, ai paralajmëroi se do të ketë ndërrim të regjistruesve.

“Do të përpiqemi çdo herë me fleksibilitet maksimal. Bisedova me ministrin e Drejtësisë në një rast dhe drejtorin e Entit të Statistikave ku, natyrisht, kur ndodhin situata të tilla, mund të bëhet një regjistrim i regjistruesve në mënyrë që të jemi fleksibël në kërkesat dhe pritjet e qytetarëve”, deklaroi kryeministri.

Zaev tha se përqindja e reagimeve të tilla është e vogël, sepse shumica e regjistruesve janë të vaksinuar, dhe, siç tha ai, mbi 50 për qind e qytetarëve mbi 40 vjeç gjithashtu janë të vaksinuar.

“Regjistruesit janë gjithashtu të vaksinuar në një përqindje të konsiderueshme. Unë mendoj se duke pasur parasysh se regjistrimi bëhet për 20 ditë, këtë herë janë 25 ditë, ne kemi mundësi shtesë për veprim fleksibël me qëllimin përfundimtar për të mbledhur të gjitha të dhënat nga qytetarët tanë”, tha Zaev gjatë vizitës së shkollës së mesme mjekësore “Pançe Karagjozov”.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq ndërkaq tha se regjistruesit janë të përgatitur mirë, kanë pajisje të mira për regjistrimin.

“Pres që regjistrimi të fillojë të dielën në mëngjes, i cili do të zgjasë deri më 30 shtator dhe i cili duhet të mbledhë të gjithë informacionin. Nuk ka pengesa ligjore për fillimin e regjistrimit, as nuk ka pengesa teknike apo logjistike. Është e vërtetë që ne jemi duke punuar në rritjen e numrit të regjistruesve rezervë në zona të caktuara. Qeveria i ka vënë në dispozicion ata njerëz që punësohen me bazë kontrate nga institucionet për të ndihmuar aty ku ka nevojë dhe unë mendoj se kjo do të rrisë numrin e regjistruesve”, tha Mariçiq.

Theksoi se të gjitha masat shëndetësore si për regjistruesit ashtu edhe për popullatën janë miratuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komisionin për Sëmundjet Infektive.

“Kështu që janë bërë të gjitha parakushtet për një Regjistrim të sigurt, të shpejtë dhe të besueshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë pas 20 vjetëve”, shtoi Mariçiq.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në regjistrim, mes tjerash, sheh edhe në mundësinë të dihen numrat e saktë dhe përfundimtar dhe karakteristikat statistikore të personave në rrezik social, personave me aftësi të kufizuara, personave të cilët kanë nevojë për çdo shërbim social që të mundet të krijohen politikat.

Deri në fillim të regjistrimit do të kryhen trajnime shtesë, por edhe vizitë në qarqet e regjistrimit në të cilat janë angazhuar regjistruesit. Deri të dielën, çdo regjistrues së bashku me instruktorin e tij rajonal do të bëjë plan për lëvizje në qarkun e regjistrimit me qëllim që asnjë objekt, asnjë amvisëri, të mos mbetet i papërfshirë.

Regjistrimi do të fillojë të dielën, më 5 shtator, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Deri në atë ditë do të zgjasë edhe regjistrimi onlajn i diasporës që filloi më 1 mars. Deri dje në orën 7.30 në diasporë janë regjistruar 190.890 qytetarë. Një operacion i këtillë statistikor në vend për herë të fundit është zbatuar në vitin 2002.

Related posts

PDSH / 13 kandidatë për kryetar komune dhe 16 lista për këshilltar komunal

Redaksia

Avokati i Popullit u bën apel organizatorëve të protestave të kenë kujdes në përfshirjen e fëmijëve

D V

Shahpaska në takim me drejtoreshën rajonale të UN Woman për Evropë dhe Azinë Qendrore, Alia El Jasir

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com