Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Të drejtat qytetare të shtazëve

Nuk e keni lexuar gabim. Shtazët i kanë të gjitha të drejtat “qytetare” në
Kosovë edhe pse vështirë se janë të vetëdijshme për këtë. Ka mendime se
falë aktivitetit për të drejtat e shtazëve, në praktikë së paku, të
drejtat e tyre i tejkalojnë edhe të drejtat e qytetarëve. Zëri i
qytetarëve, shoqëria civile, për dallim, janë shuar. Nuk është e qartë nëse
u shuan ngase po jetojmë në kushte lufte qytetare me virusin, apo sepse nuk
ka më donacione.

Ndërkohë, qenët nëpër grupe të organizuara shëtisin të papenguar nëpër
sheshe. Ende nuk ka ndodhur ndonjë ndonjë konflikt përmasash të gjera mes
njerëzve dhe shtazëve lidhur me atë se i kujt është sheshi, pasi për dallim
prej kopeve të shumta qenësh të cilët i kanë pushtuar sheshet, qytetarët
janë mbyllur nëpër shtëpi pasi kafenetë dhe qendrat e mëdha
tregtare/argëtuese, me vendim të qeverisë, nuk punojnë. Madje, qentë, të
cilëve të gjithë ua lëshojnë rrugën, përfshirë patrullat e policisë, duket
se edhe territorin e kanë ndarë, pasi mes tyre nuk ka luftëra dhe po e
respektojnë kodin.

“Covidi” ka ndikuar edhe në këtë marrëdhënie njeri-shtazë. Kohëve të
fundit, sheshet “Skendërbeu”, “Ibrahim Rugova”, “Nëna Terezë”, “Sheshi i
Zahirit”, në orët e vona marrin pamje apokaliptike. Vetëm patrulla të
policisë dhe kope qenesh të zhurmshëm anashkalohen, pa ndonjë incident të
regjistruar deri më tani. “Jemi bërë si pulat. Në mbrëmje po na mbyllin e
në mëngjes po na lirojnë”, e tha dikush në rrjetet sociale dhe qeshëm.
Pastaj, të gjitha orët policore janë vendosur me këtë motivacion, pra për
të mirën e përgjithshme.

Sido që të jetë, kjo çfarë po flitet se ka ndodhur këto ditë në Prishtinë,
duhet të nxis debate serioze në parlament apo në televizione tona
nacionale, lidhur me të drejtat dhe (pa) përgjegjësitë e shtazëve në këtë
vend. Këtu kemi të bëjmë me konflikt llojesh dhe parimesh dhe duhet të
reagojnë patjetër jo vetëm politika por edhe ajo që ka mbijetuar nga
shoqëria civile. Në rregull, mund të tolerohet kur qeni e ha ndonjë
pensionist të lodhur rrugicave të errëta të kryeqytetit, apo ndonjë fëmijë
të komunitetit rom, si edhe i ka toleruar politika jonë, por ajo që ndodhi
këto ditë në një lagje të kryeqytetit, nuk bënë të tolerohet nga qeveria
lokale e kryeqytetit. Është çështje parimi. Nëse komuna nuk reagon, duhet
të ndërhyjë personalisht kryeministri, pasi presidenti i cili përkrahte
shoqërinë civile, nuk ndodhet këndej pari.

Mendoj se kryeministri, apo së paku kryetari i Prishtinës, duhet të
ndërhyjnë personalisht. Shtazët duhet mbrojtur, kryetar, se njeriu mbrohet
vet. Duhet mbrojtur shtazët edhe nga shtazët, jo vetëm nga qytetarët.
Qytetarët kanë lëshuar rrugë, duke parë aleancën joformale të politikës me
grupet endacake të qenve kështu që nuk ka shpresë. Për pensionistët ka
zgjidhje. Ata mund të shëtisin ditën apo të shëtisin vetëm në grupe. Mund
edhe të anashkalojnë kontejnerët, sepse grupet e qeneve këtë mund të e
kuptojnë si atak ndaj ushqimit të tyre. Edhe fëmijët mund të kapen përdore,
apo të shoqërohen nga familjarët e tyre, që nuk frikësohen nga qentë. E
kush nuk ka fikë nga qenët, sot?

Qeveria natyrisht mund të organizojë edhe kurse vrapimi, edukimi për
pensionist dhe fëmijët, se si të iket nga tufa e qeneve endacak, të cilët
së fundmi si duket kanë arritur shkallë të lartë vetë organizimi.
Nganjëherë numri i tyre është aq i madh dhe lëvizin me drejtim dhe me
udhëheqje të qartë.

Pra, njeriun mund ta hanë, por shtazët e tjera jo. Flitet se një zonjë u
ankua që kopeja e qeneve, me shumë gjasë të ardhur, apo të sjellë në
kryeqytet së voni, ja kishin shqyer macen e saj. Ajo paska rrëfyer për
tmerrin e asaj nate. Macja e vogël, e bardhë si bora, i paska ikur nga
banesa, pikërisht në kohën e orës policore dhe ajo nuk kishte guxuar të
dilte për ta kërkuar.

Tash, këtu, bandat kriminale të qenëve që shëtisin të lirë dhe hanë
pensionist apo fëmijë, nuk mund të mbrohen më vetëm me të drejtat e
shtazëve. Kuptohet, shtazët nuk mund të kryejnë krim dhe të shpallen të
fajshme por mund të parandalohen. Këtu vetëm shoqëria civile dhe debatet
bëjnë punë. Duhet vetëdijesim për bashkëjetesën dhe të drejtat e shtazëve,
por edhe të njerëzve.

Edhe macja ka të drejtat e saj qytetare, po aq sa qenët dhe njerëzit. Edhe
macet janë shtazë. Edhe njeriu është njëlloj “shtaze politike”, prandaj
ftoj shoqërinë civile, të ngritë zërin për viktimën krejtësisht të
pafajshme, macen e zonjës X. Duhet të vihet rend në kryeqytet. Zonja e
moshuar ka nevojë të mbrohet edhe si pensioniste, por ju duhet të reagoni
fuqishëm, sikur në kohë kur ndahen donacionet, sidomos për të mbrojtur
macen e saj dhe të drejtat e shtazëve të tjera për të shëtitur të lira dhe
pa frikë rrugëve të kryeqytetit. Nëse jo për njerëzit, ju lutem, bëjeni për
shtazët.

Postime të ngjashme

Dy pyetje të thjeshta që nuk shtrohen janë rrëfimi i këtij vendi

E.E.

Qyteti i Alfabetit – Manastiri, u zëvendësua me bitpazarin e Shkupit

Z H

Vjosa Osmani si mish i freskët, për qentë e Edi Ramës në Tiranë!

B M

Kryeministrin nuk e kapë satira

B M

Zaevi është i detyruar të pranojë egzistencën e qytetarëve bullgar në Maqedoninë Veriore

E.E.

Ministria e Grubit dhe spitali i Kërçovës

Z H
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...