Të gjithë janë krijues

nga D V

Nga: Rick Rubin (pjesë nga libri Akti krijues)
Përktheu: Enes Lekiqi

Ata që nuk merren me artet tradicionale, ndoshta ngurrojnë ta quajnë veten artistë. Ata mund ta perceptojnë krijimtarinë si diçka të jashtëzakonshme, ose përtej mundësive të tyre. U bëj një thirrje të gjithë atyre pak njerëzve, që janë lindur me këto dhunti.

Për fat të mirë, kjo nuk qëndron.

Krijimtaria nuk është aftësi e rrallë. Nuk është e vështirë për t’u qasur. Krijimtaria është aspekti themelor i të qenit njeri. Është e drejtë e fituar nga lindja dhe është për të gjithë ne.

Krijimtaria nuk lidhet ekskluzivisht me të bërit art. Të gjithë ne merremi, çdo ditë, me këtë akt.

Të krijosh art është të sjellësh diçka në ekzistencë, që nuk ndodhej më parë. Mbase një bisedë, zgjidhja e një problemi, një letër për mikun, t’u ndryshosh vendet mobileve në dhomë, një rrugë e re drejt shtëpisë për të shmangur tollovinë në trafik.

Ajo çfarë bën, nuk ka nevojë të dëshmohet, të dokumentohet, të shitet a të mbyllet në qelq, që të jetë vepër arti. Përmes gjendjes së zakontë të të qenit, ne jemi tashmë krijues në mënyrën më të thellë, duke krijuar një përvojë në përditshmëri dhe duke ndërtuar botën që perceptojmë.

Në çdo çast ne zhytemi në një fushë materiesh të pandryshueshme, prej së cilës shqisat tona mbledhin copëza informacioni. Universi i jashtëm që perceptojmë, nuk ekziston si i tillë. Përmes një sërë reaksionesh elektrike dhe kimike krijojmë brenda nesh një realitet. Krijojmë pyje dhe oqeane, të nxehtët dhe të ftohtët. Lexojmë fjalë, dëgjojmë zëra dhe krijojmë interpretime. Pastaj, sakaq, ndërtojmë një përgjigje. Të gjitha këto i krijojmë në një botë tonën vetjake.

Pa marrë parasysh nëse po krijojmë ose jo art, të gjithë jetojmë si artistë. Perceptojmë, zgjedhim, mbledhim të dhëna, pastaj organizojmë një përvojë për veten dhe për të tjerët, duke u mbështetur në këtë tërësi informacionesh. Qoftë nëse e bëjmë këtë me apo pa vetëdije, fakti që jemi aktiv, na bën pjesëmarrës në procesin e pareshtur të krijimit.

Të jetosh si artist është një mënyrë të qeni. Mënyrë perceptimi. Praktikë e të kushtuarit vëmendje. Rritja e ndjeshmërisë sonë për të kuptuar më shumë nota delikate. Kërkimi i asaj çfarë na tërheq dhe çfarë na largon. Të vënët re se çfarë tone ndjenjash ngritën te ne dhe ku na çojnë ato.

Zgjedhje pas zgjedhjesh të vetëdijshme, gjithë jeta jote është një formë shprehjeje e vetvetes. Ti ekziston si qenie krijuese në një univers krijues. Vepër unike arti.

Të kuptuarit

Mendoje universin si një shpalosje e përjetshme krijuese.
Lulet çelin.
Qelizat shumohen.
Lumenjtë krijojnë degë të reja.

Bota pulson me energji prodhuese dhe nga kjo energji drejtohet gjithçka që ekziston në këtë planet.

Çdo manifestim i kësaj shpalosjeje e kryen punën e vet në emër të universit, secili në mënyrën e vet, besnik ndaj nxitjeve të veta krijuese.

Ashtu si pemët që rritin lule dhe japin fruta, njerëzimi krijon vepra arti. Urën Golden Gate, White Album, Guernica, Aja Sofian, Sfinksin, anijen kozmike, Autobanin, “Clair de lune”, “Respect”, Koloseumin romak, kaçavidën Philips, iPad-in, biftekun me djathë Filadelfia.

Shiko përreth: ka aq shumë arritje të jashtëzakonshme që duhen çmuar. Çdonjëra prej tyre është dëshmi se njerëzimi i qëndron besnik vetvetes, ashtu si kolibri i qëndron besnik vetes duke ndërtuar çerdhe, sikurse pema e pjeshkës që mban fruta apo një re e madhe që lëshon shi.

Çdo çerdhe, çdo pjeshkë, çdo pikë shiu dhe çdo vepër tjetër është në vetvete e veçantë. Ashtu si disa pemë ndoshta duken se prodhojnë fruta më të bukura se të tjerat, edhe disa njerëz mbase duken se krijojnë vepra më madhështore se të tjerët. Shija dhe bukuria gjenden në sytë e vështruesit.

Si e di reja kohën që të lëshojë shi? Si e di pema kohën kur fillon stina e pranverës? Si e di zogu kohën që të ndërtojë një çerdhe të re?

Universi punon si ora:

Ndaj çdo gjëje –
Ekziston një arsye –
Dhe një kohë nën qiej për çdo synim
Një kohë për të lindur, një kohë për të vdekur
Një kohë për të mbjellë, një kohë për të vjelë
Një kohë për të vrarë, një kohë për të shëruar
Një kohë për të qeshur, një kohë për të qarë
Një kohë për të ndërtuar, një kohë për të shkatërruar
Një kohë për të vallëzuar, një kohë për të vajtuar
Një kohë për të hedhur gurë, një kohë për t’i mbledhur ata

Këto ritme nuk vendosen nga ne. Të gjithë jemi pjesëmarrës në një akt më të madh krijues, që ne nuk e drejtojmë dot. Ne jemi qenie të drejtuara. Artisti ndodhet në një orar kozmik, sikur e gjithë natyra.

Nëse ke një ide për të cilën je ngazëllyer dhe nuk e ke realizuar, nuk është çudi që ajo të gjejë zërin e vet përmes një krijuesi tjetër. Jo për shkak se artisti tjetër ta ka vjedhur idenë, por sepse ka ardhur koha e idesë.

Në këtë shpalosje madhështore, idetë, mendimet, temat, këngët dhe veprat e tjera të artit ekzistojnë në eter dhe piqen në një kohë të caktuar, gati të gjejnë shprehje në botën fizike.

Si artistë, detyra jonë është të tërheqim, ta ndryshojmë dhe ta shpërndajmë këtë informacion. Çdonjëri prej nesh është përkthyes i mesazheve që transmeton universi. Artistët më të mirë priren të jenë ata me antenat më të ndjeshme për të tërhequr energjinë që krijohet në një çast të caktuar. (Shumë artistë të mëdhenj së pari i zhvillojnë antenat e ndjeshme jo për të krijuar art, por për të mbrojtur veten. U duhet ta mbrojnë veten, sepse në të çdo gjë dhemb më tepër, kur ata ndiejnë çdo gjë e më thellë.)

Shpesh arti arrin në formën e lëvizjeve. Ja disa shembuj të fundit në kohë, si: arkitektura Bauhaus, ekspresionizmi abstrakt, kinemaja e Valës së Re Franceze, stili punk i rock-ut, stili poetik Beat. Këto lëvizje shfaqen si një valë; disa artistë janë të aftë të lexojnë risinë në kulturë dhe të pozicionohen që të ngasin këtë rritje. Të tjerët e shohin valën dhe zgjedhin të notojnë kundër rrymës.

Të gjithë jemi antena për mendimin krijues. Disa transmetime te ne vijnë të forta, të tjerat më të zbehta. Nëse antena jote nuk është e ndjeshme, me shumë gjasa do të humbasësh të dhënat nga zhurma e frekuencës. Veçanërisht kur sinjalet hyrëse janë shpesh më të padukshme se përmbajtja që mbledhim përmes vetëdijes shqisore. Sepse ato janë më shumë energjike se të prekshme, perceptohen më shumë përmes intuitës sesa dokumentohen përmes vetëdijes.

Pjesën më të madhe të kohës ne mbledhim të dhëna nga bota përmes pesë shqisave. Me informacionin që transmetohet në frekuenca të larta, ne drejtojmë materialin energjik që nuk mund të kapet fizikisht. Kjo e sfidon logjikën, ashtu sikurse elektroni mund të jetë në dy vende njëherësh. Kjo energji që mezi kapet ka shumë vlerë, edhe pse pak njerëz janë të hapur për ta pasur atë.

Atëherë, si e marrim sinjalin që as mund të dëgjohet e as mund të përcaktohet? Përgjigjja nuk është që ta kërkosh, as që të përpiqesh ta parashikosh ose të analizosh mënyrën si t’ia dalim. Përkundrazi, ne krijojmë në mendjen tonë një hapësirë që e lejon atë. Kjo hapësirë funksionon si vakuum, ku tërhiqen idetë që i bën të gatshme universi.

Kjo liri nuk është e vështirë të arrihet. Të gjithë fillojmë nga diçka. Si fillestarë, ne kemi pak përvojë në marrjen e ideve dhe përvetësimin e tyre. Ne i pranojmë me gëzim informacionet e reja dhe nuk bëjmë krahasime me atë që tashmë besojmë; jetojmë të tashmen dhe nuk shqetësohemi për pasojat në të ardhmen; jemi spontanë më shumë se analitikë; jemi kureshtarë, jo skeptikë. Edhe ndjesitë më të jashtëzakonshme në jetë përputhen me një ndjesi vale. Trishtimi i thellë dhe ngazëllimi i lartë mund të vijnë brenda pak çastesh nga njëri-tjetri. Nuk ka fasadë, as ngjitje.

Artistët që arrijnë të krijojnë pareshtur vepra të mëdha gjithë jetën e tyre, shpesh arrijnë t’i ruajnë këto cilësi. Zbatimi i një mënyre të të qenit, që të lejon ta shohësh botën me kthjelltësi, mund të të çlirojë të veprosh në harmoni me kohën e përcaktuar nga universi. /Shtëpia Botuese “Botart”/Palimpsest/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More