Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka folur edhe njëherë për kandidaturën e përbashkët me Serbinë për ta organizuar Kampionatin Evropian të Futbollit për grupmoshat U21 në vitin 2027.
Ky vendim i Federatës Shqiptarë të Futbollit u prit me reagime dhe kundërshtime të mëdha në Kosovë, duke e konsideruar atë si një vendim të ngutshëm.
“Ne kemi aplikuar për të pasur Kampionatin Evropian të 21-vjeçarëve në 2027 në bashkëpunim Shqipëri-Serbi. Do të jemi kandidatë të përbashkët. Është edhe Turqia një prej kandidatëve. Duhen minimumi tetë stadiume për të organizuar një kampionat evropian”, ka thënë fillimisht Duka.
Ai ka shtuar se mbi të gjitha është aspekti sportiv, por se në fund të fundit duhet jetuar në paqe me njëri-tjetrin.
“Ne synojmë të organizojmë një kampionat futbolli që është sportiv, por në fund të fundit edhe në këndvështrimin politik është një gjë sportive. Në fund të fundit, duhet të jetojmë në paqe me njëri – tjetrin”, theksoi i pari i FSHF-së.