Teatri i qytetit të Gjilanit ka njoftuar se gjatë muajit shtator do të ketë laramani të shfaqjeve.
Në fillim shtator është mbajtur shfaqja “Tartufi” dhe “Togeri nga Inishmori”. Vlen të theksohet se shfaqja “Tartufi” shpërblehet me 5 çmime në Festivalin e Teatrove në Ferizaj.
Ndërsa, me 19 dhe 20 shtator vjen repriza e shfaqjes “Një dorëzim në Spokan”. Siç thuhet në njoftimin e teatrit, shfaqja është tregim për historitë sipërfaqësore të njerëzve që i bëjnë ata të huaj.
Pastaj, përsëri me datë 25 dhe 27 shtator do të luhet shfaqja “Togeri nga Inishmori”, e autorit Martin McDonagh, me regji nga Shkelzen Berisha.
“Personazhet e kësaj komedie të zezë sterrë, turren përpara me hapa të mëdhaj, që çojnë në nji masakër qesharake. Përmes nji humori t’zi e t’lyem me gjak t’kuq, gatuhet nji shfaqje kuq e zi, me 2 maca t’shkallmume, 4 njerëz t’masakrum, nji bicikletë t’shkatërrume dhe nji bishtalec i premë të nji “djaloshari”. Tu kesh e tu kajtë, krejt kjo dynja e vogël bahet lesh”, kështu përshkruhet shfaqja e komedisë “Togeri nga Inishmori”.
Ndërsa, me datë 28 shtator, do të luhet shfaqja për fëmijë“Aventurat Magjike të Meri Popins”.