Shkup, 9 korrik – Temperaturat e larta deri në 40 gradë, që janë prezente në vend, mund të ndikojnë në dëmtimin e organizmit të njeriut, ku mund të vijë shpeshherë deri te alivanosja apo humbja e vetëdijes. Mjekët me rekomandime që qytetarët të mos dalin në periudhën prej ora 11:00 deri në ora 16:00, kurse nëse veç më e kanë të patjetërsueshme daljen në këto orare, të pinë vazhdimisht ujë, si dhe të kenë veshmbathje më të lehtë.
“Problemi më i madh është dëmtimi i sistemit nervor qendror ose të trurit. Që të mos vijë deri te humbja e vetëdijes ose kolapsit, që është shumë e shpeshtë brenda verës, duhet të bëhet rehidrimi permanent nëse jemi të obliguar që të dalim në ambient të hapur. Veshmbathjen ta përshtatim sipas temperaturës, domethënë të mbahen rroba të lehta, të bardha, që e reflektojnë rrezen e diellit dhe brenda mundësive të mbahen kapela të bardha ose shami të bardha, të cilat nuk e resorbojnë të nxehtin që të mos vijë deri te dëmtimi i qelizave të trurit.”, – theksoi mjeku, Sedat Lumani.
Mjeku i përgjithshëm, Lumani, apelon që nëse qytetarët hasin shenja të dehidrimit, të cilat shfaqen përmes etjes, nuk duhet që të pinë sasi të madhe të ujit përnjëherë, por rehidrimi të bëhet me etapa.
“Nëse marrim më tepër lëngje mund të vijë deri te një efekt i kundërt, domethënë bulmimi, respektivisht edemi i qelizave të trurit dhe shpeshherë ndodh që mund të kemi ose edem në tru që humb vetëdijen ose nëse jemi të ekspozuar më gjatë kohë në temperatura të larta të vijë deri te një gjakderdhje mikroskopike ose të plasjes së kapilareve të qelizave të trurit dhe kemi gjakderdhje, po ashtu mund të vijë deri te humbja e vetëdijes.”, – u shpreh mjeku, Sedat Lumani.
Këshillat e mjekëve janë që në këto temperatura qytetarët të kenë kujdes edhe në ushqimin. Më tepër të konsumohen pemë dhe perime, kurse të shmangen ushqimet që kanë shumë kripë, ushqimet e fërguara ose ato ushqime që përmbajnë më tepër yndyrë.