Deputetët e Partisë Demokratike kanë vendosur në hyrjen e parlamentit katër manekinë të veshur me rroba të burgosurish, me portretet e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, si dhe deputetit të PS Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Geron Xhafaj.
Pasi i pozicionuan në hyrjen qendrore të parlamentit, manekinët u spërkatën me benzinë dhe më pas u dogjën nga deputeti Flamur Noka.
Kjo seancë pleanare u shoqërua me debate dhe përplasje të forta fizike mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës.
Deputetët e përjashtuar të PD, së bashku me kolegët e tyre, bllokuan këtë të enjte hyrjet e parlamentit, duke penguar socialistë të hyjnë në sallë.
Përplasjet u përshkallëzuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve të të dy kampeve politike.
Fillimisht, ministri i Financave, Petrit Malaj, kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, dhe ministri Igli Hasani u penguan nga deputetët e PD, çka solli ndërhyrjen e gardës.
Përplasje pati edhe pranë derës së Kuvendit midis deputetit të PD Flamur Noka dhe deputetëve socialistë Frrok Gjini dhe Paulin Sterkaj.
Por socialistët hynë më pas nga dyert dytësore dhe seanca plenare nisi me vonesë.