Presidenti Milo Gjukanoviç, i cili humbi edhe zgjedhjet parlamentare të gushtit, reagoi ndaj një pretendimi të Abazoviç i cili në mediat sociale e akuzonte kreun e shtetit se ka një borxh të madh ndaj shtetit, prej 12, 4 milionë eurosh. Sipas tij, Dritan Abazoviç shërben për nacionalizmin e madh serb.
“Pretendimi se unë jam një debitor tatimor është gënjeshtër. Si qytetar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, unë nuk i detyrohem (shtetit) asnjë cent . Unë mendoj se historia ime ka të bëjë me identitetin dhe rrezikimin e Malit të Zi nga nacionalizmi i Serbisë së Madhe që ai i shërben”, shkruan presidenti.
Abazovic, përmes një postimi në Twitter, bëri me dije se Gjukanoviç i detyrohet 12.4 milionë euro taksa shtetit, çka shkaktoi reagimin e presidentit. Por bashkëjetesa mes presidentit dhe qeverisë kundërshtare nuk duket të jetë e lehtë, pasi një tjetër tension u shënua mes tyre.
Kabineti i ri kaloi pak ditë më parë një numër amendamentesh për ligjet e miratuara nga qeveria e vjetër e Gjukanoviçit, më i debatuari ai mbi liritë fetare dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Mes kërkesave ishte edhe tërheqja e shtatë ambasadorëve të emëruar nga ekzekutivi i mëparshëm me pretendimet se kishin punuar kundër interesave të shtetit.
Por presidenti i ka refuzuar dekretet duke kërkuar arsyetimin e tyre.
Zëvendëskryeministri shqiptaro-malazez, Dritan Abazoviç, paralajmëroi se kthimi i dekreteve dhe shkeljet kushtetuese rrezikojnë edhe shkarkimin e kreut të shtetit.
Viti 2020 tregoi se Mali i Zi nuk do të mbesë i vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk e ka ndërruar pushtetin, sepse pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, shumica e re parlamentare më 4 dhjetor 2020, më 41 vota pro votoi një koalicion të ri në pushtet, koalicion proserb./euronews