Kosovë

Tërheqja e SHBA-së – procesi në KPK të kthehet në pikën zero

Procesi për zgjedhjen e anëtarëve rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu po kërkohet të kthehet në pikën zero, pas tërheqjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nga monitorimi i këtij procesi.

Të premten, Ambasada e SHBA-së në Kosovë është tërhequr nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe kryeprokurorëve, pasi siç kanë thënë përmes një deklarate për media, ‘këtyre proceseve iu mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit’.

Prokurorët, sipas ambasadës së SHBA-së në Kosovë, duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo në bazë të përkatësisë politike ose lidhjeve.

Të shtunën, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm ku thuhet se ky Këshill “ka pranuar me shqetësim” reagimin e Ambasadës amerikane lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së.

Sipas një njoftimi të këtij Këshilli, ky institucion ka kërkuar që të rregullohet me ligj nga institucionet kompetente, procedura në atë mënyrë që prokurorët të mos kenë të drejtë të aplikojnë për kryeprokurorë gjatë mandatit të anëtarit të Këshillit dhe anasjelltas.

Po ashtu, në këtë mbledhje të jashtëzakonshme u kërkua që anëtarët prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorët do të zgjidhen në bazë të meritokracisë.

“Kushdo që do të ndikojë në proceset e vlerësimit dhe votimit për anëtarë prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorë mund të rezultojë me largim nga gara dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial po ashtu i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës, që në afat sa më të shpejtë të ndërmarrë veprime drejt ndryshimeve ligjore, ku përcaktohen rregullat strikte për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe emërimin e kryeprokurorëve.

Arton Demhasaj nga Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha për Radion Evropa e Lirë se tërheqja e ambasadës së SHBA-së nga ky proces tregon se në Këshillin Prokurorial ka ndikime të mëdha politike, që mund të ketë pasoja në sistemin e drejtësisë edhe me vite më radhë.

“Mendoj që ky proces i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve është i kompromentuar dhe i ndikuar politikisht dhe çfarëdo që ndodh në këtë proces, do të ketë probleme të mëdha pas zgjedhjes. Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës duhet të kthehet në pikën zero”, thotë Demhasaj.

Më 8 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte njoftuar se kishte marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Tërheqja e ambasadës amerikane nga ky proces, shton Demhasaj, po rrit mosbesimin ndaj institucioneve të Kosovës, në veçanti atyre që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Sipas tij, institucionet e vendit duhet t’i bëjnë thirrje ambasadave të huaj dhe faktorit ndërkombëtar që të monitorojnë këtë proces për të larguar ndikimet politike.

Për tërheqjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve, ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas këtij Instituti, në bazë të ligjit, “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngrihet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Kjo praktikë, thonë nga IKD, paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve.

Related posts

Sulmoi gruan e tij – suspendohet nga puna mësimdhënësi nga Mitrovica

admin

Tre pacientë ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin e Pejës, kjo është gjendja me koronavirusin atje

admin

Kosovë/ 1 mijë e 754 raste aktive me Covid-19

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...