Agjencia Zhurnal.mk

Tetovari që i’a dha arkën me flori Ismail Qemalit për Shqipërinë e Pavarur

Shkup, 10 tetor – Kjo është historia e panjohur e familjes së famshme Derralla me origjinë të hershme nga Gradeci i Pollogut të Tetovës, ku i pari i tyre, Hasan Pasha, shërbeu në detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë së Sanxhakut të Prizrenit, kurse djali i tij, Mehmeti, u emërua në detyrën e Komandatit të Forcave të Armatosura të Lidhjes së Prizrenit për qytetin e Tetovës.

Dëshmitë e rralla të Valdet Derrallës, për historinë e fisit të tyre nga më të njohurit shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, ku gjyshi i saj, Mehmet Pashë Derralla, më 28 nëntor të vitit 1912, i dhuroi Ismail Qemalit një arkë me flori për qeverinë ku ai u emërua si Ministër i Luftës, kurse djemtë e tij, pasi ishin internuar në kampet naziste, në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u persekutuan si familje reaksionare dhe babai i Valdetit, pasi vuajti dhjetë vite burg, jetoi bodrumeve të qytetit të Shkodrës, ku për të siguruar bukën e gojës, bënte nallane me drutë e zjarrit që i sillnin fshatarët për t’i shitur.

“Edhe pse gjyshi im Mehmet Pashë Derralla kishte mbajtur postin e Ministrit të Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, dhe i kishte dhuruar atij një arkë me flori për kabinetin, djali i tij dhe njëkohësisht babai im, Hysen Dërralla, për vite u burgos nga regjimi i Enver Hoxhës. Dhe për të siguruar bukën e gojës, bënte fshehurazi nallane në bodrumet e Shkodrës, të cilat më pas i shiste në rrugicat e atij qyteti”. Njeriu që dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al, është Valdete Derralla, e cila rrëfen historinë e dhimbshme të familjes dhe babait të saj, i cili pasi u lirua nga burgjet naziste, u dënua edhe nga komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë.

Cila është origjina e familjes Derralla dhe kush ishin disa nga burrat e asaj familjeje të madhe pashallarësh që u shkolluan në akademitë ushtarake të Turqisë dhe Italisë? Cili ishte fati i familjes Dërralla dhe i djemve të Mehmet Pashës gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Në Akademitë Ushtarake
Lidhur me historinë e familjes Derralla dhe djemve të Mehmet Pashës, e mbesa e tij, Valdete Derralla dëshmon: “Pas vdekjes së Mehmet Pashës në vitin 1918, i pari i asaj familjeje, mbeti djali i madh i tij Halimi, i cili kishte lindur në vitin 1878 në Tetovë. Ai ishte diplomuar për Drejtësi në Stamboll dhe në atë kohë ishte zgjedhur si deputet i Tetovës në Parlamentin e Serbisë. Në shtëpinë e madhe të Dërrallave në Tetovë, jetonin vetëm djemtë me familjet e tyre, pasi të pesë vajzat e martuara, Mehmeti i kishte dërguar në Bursë të Turqisë që në vitin 1912, kur ai u nis për në Vlorë. Po në vitin 1921, xhaxhai i madh Halimi erdhi në Tiranë dhe pasi u thirr nga Ahmet Zogu, i propozoi atij që të bëhej deputet në Parlamentin Shqiptar. Halimi pranoi duke qëndruar deputet dhe senator nga viti 1921 deri në vitin 1929. Ai vdiq në vitin 1932 në Tiranë, ku i’u bë një varrim madhështor. Pas vdekjes së tij, vëllezërit dhe familja e tij u kthyen në Tetovë.

Valdete Deralla

Djali i dytë i Mehmet Pashës, ishte Mynyri, i cili nuk jetoi gjatë dhe vdiq shumë i ri. Djali i tretë ishte Gajuri, i cili u lind në Bagdat në vitin 1908, dhe më vonë ai mbaroi Akademinë Ushtarake në Itali. Pas studimeve, ai u kthye në Shqipëri dhe shërbeu për disa kohë si oficer i Xhandarmërisë Mbretërore, e më pas në Oborrin Mbretëror në Tiranë. Në vitin 1939, Gajuri shkoi në Tetovë ku shërbeu si oficer në Xhandarmërinë e atij qyteti. I katërti i djemve ishte, Hyseni, babai im, i cili u lind në Tetovë në vitin 1912. Babai ka qënë 6 muajsh kur Mehmeti u nis për në Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë. Pasi mabroi shkollën fillore dhe të mesmen tregtare në Tetovë, Hyseni kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Sarajevë dhe në vitin 1931, ai erdhi në Tiranë, ku vazhdoi gjimnazin në konviktin “Naim Frashëri”. Pas mbarimit të shkollës në vitin 1934, ai filloi punë në Ministrinë e Ekonomisë, ku qëndroi deri në vitin 1940”, kujton Valdete Dërralla, lidhur me xhaxhallarët dhe babain e saj, djemtë e Mehmet Pashë Dërrallës, ministrit të Luftës në qeverinë e paarë të shtetit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali.

Hyseni me Gajurin në burgjet naziste!
Lidhur me historinë e babait të saj Hysenit, gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist, Valdeti kujton: “Në vitin 1940, im atë Hyseni, së bashku me të vëllain Gajurin, u veshën si oficerë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe u dërguan në frontin e luftës italo-greke. Pasi dezertuan nga ajo luftë, ata kërkoheshin nga italianët dhe për të shpëtuar, shkuan të dy në Tetovë ku deri në vitin 1942, shërbyen si oficerë të Milicisë. Në vitin 1942, Hyseni u thirr në Tiranë nga Regjenca dhe i’u komunikua detyra e komandantit të Xhandarmërisë së Tetovës dhe grada e majorit. Kur u kthye në Tetovë, ai krijoi repartet e Policisë Popullore, me efektiva nga rardhët e nacionalsitëve shqiptarë, të cilët mbajtën rendin në qytet. Në atë kohë Hyseni nuk lejoi që efektivët e tij të merrnin pjesë në batalionet SS të gjermanëve, për t’i çuar më pas në Kosovë. Për këtë arsye ai u arrestua bashkë me Gajurin dhe në vitin 1944, u internuan në Kampin e Prishtinës.

Pas disa kohësh ata i transferuan në kampin e Bader-Stohelber që ndodhej në Austri dhe nga ai kamp, ata u liruan vetëm në vitin 1945, nga forcat aleate anglo-amerikane. Ata tentuan të ktheheshin në Tetovë, por Gajuri u arrestua nga forcat serbe të cilët e çuan në burgun e Shkupit, ku pas një gjyqi e dënuan me vdekje. Me ndërhyrjen e miqve të familjes dhe me anë të pagesave, atij i’u kthye vendimi në 20 vite burg. Pasi bëri 12 vite në Idrizovë, ai u arratis për në Itali dhe me ndihmën e Ali bej Këlcyrës, mundi që të nisej për në SHBA-ve. Ndërkohë, babai Hyseni, qëndronte i fshehur për muaj me rradhë në fshatin Kotlinë, ku ne kishim pronat e familjes. Më pas ai doli dhe u kthye në Shkup, ku mendonte se nuk do ta arrestonin. Por në 26 mars të vitit 1947, ai u arrestua dhe u ekstradua në Tiranë, pas një marrëveshjeje që kishin bërë të dy Minsitritë e Brëndshme respektive. Pasi u mbajt disa muaj në hetuesi duke u torturuar, me ndërhyrjen e disa njerëzve të nënës sime (Mynyre Starja nga Kolonja), ai mundi të fitonte pafajsinë dhe të lirohej”, kujton Valdete Dërralla, peripecitë e babait dhe xhaxhait të saj.

Hyseni, 15 vjet burg!
Cili ishte fati i mëtejshëm i Hysen Dërrallës pas lirimit nga burgu në vitin 1947? Lidhur me këtë Valdetja tregon: “Pasi u lirua nga burgu, babai mundi që të rregullohej me punë si përkthyes në Ministrinë e Ekonomisë, ku shërbeu deri në vitin 1949, pasi në atë kohë atë e hoqën nga Tirana si “element reaksionar”. Në atë kohë babai më mori mua, nënën dhe gjyshen dhe na çoi në Shkodër dhe atje u strehuam tek Ali Shefqet Shkupi, të cilët ne i kishim të afërm. Aty nga fillimi i vitit 1951, kur ndodhi incidenti me bombën në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi Shtetit erdhi dhe arrestoi babanë tonë në orën 12 të natës, në shtëpinë e Luigj Gurakuqit. Policët erdhën me zhurmë të madhe dhe gjyshes sonë Nadides, (gruaja e Mehmet Pashës) i ra të fikët. Babai u mbajt për tetë muaj në hetuesi, ku torturohej nga rreshter Latifi, të cilin e urdhëronin dy hetuesit F.K. dhe A.B. Kur doli në gjyq, babai nuk pranoi asnjë akuzë, dhe kryetari i gjykatës i tha: ‘Pse qëndron aq krenar, pasi ti je bir i një feudali që ka shtypur popullin’. Babai i’u përgjigj: ‘Zoti kryetar e keni gabim, mua mund të më fyeni sa të doni, por tim atë nuk e fyeni dot, se ai ka qënë ministër në qeverinë e Ismail Qemalit’. Pas asaj përgjigjeje, prokurori e quajti Hysenin, arrogant dhe kërkoi dënim me 15 vite burg për agjitacion e propagandë. Babai u dënua po me 15 vjet burg, por bëri vetëm 8 vjet, pasi u lirua nga kampi i Rinasit nga një amnisti që u dha në vitin 1958. Pas lirimit nga burgu, babi u kthye në Shkodër, ku për të fituar bukën e gojës, gdhëndte nallane nga drutë e zjarrit bodrumeve dhe i shiste ato fshehurazi rrugicave të qytetit. Si pasojë e torturave, ai u operua nga mjekët pa narkozë, në grykë, duke i thënë: Duron ti se je reaksionar’. Që nga ajo ditë, ai humbi të folurin dhe ndërroi jetë në 17 mars të vitit 1993”. Kështu e përfundon rrëfimin e saj tragjik, Valdete Dërralla, lidhur me babain e saj Hysenin dhe xhaxhallarët e saj, djemtë e Mehmet Pashë Dërrallës, i cili edhe pse kishte kontribuar në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, duke i dhuruar një arkë me flori, djemtë e tij u degdisën burgjeve dhe kampeve nga regjimi komunist!

Historia e panjohur e familjes Derralla
Mehmet Pashë Derralla, i cili njihet dhe si një ndër burrat më të shquar të familjes Derralla, u lind në vitin 1843, në fshatin Gradec të krahinës së Pollogut, i cili ndodhet në afërsi të qytetit të Tetovës. Por origjina e hershme e asaj familje mendohet të jetë nga malësia e Hasit të Kukësit dhe në qytetin e Tetovës, rrëzë Malit të Sharrit, ata janë vendosur në periudhën e pas vdekjes së Skënderbeut. Derrallat u vendosën në qëndër të Tetovës, ku dhe ndërtuan një shtëpi të madhe, e cila zinte disa hektar tokë, e me anë të një tuneli të nëndheshëm, ata lidheshin me kalanë e Tetovës, e cila njihet ndryshe si Kalaja e Abdurrahman Pashë Derrallës. Sipas disa dokumentave që janë gjendur vitet e fundit në arkivat e Turqisë, bëhet e ditur se nëna e Skëndërbeut, Vojsava, ka qenë nga familja Derralla e Pollogut.

Krushqia e familjes Derralla me atë të Kastriotëve, mendohet të jetë bërë pasi ata kanë qenë familja më e madhe në të gjithë trevat veri – lindore të Shqipërisë dhe se së bashku me familjen Palloshi, të po asaj krahine, kanë qenë të vetmet familje pashallarësh që në atë kohë. Pas Abdurrahim Pashë Derrallës, që mori i pari titullin e Pashait, nga ajo familje ka qenë i njohur edhe Hasan Pashë Derralla, të cilit i’u dha titulli nga Turqia, për shkak të trimërive që ai tregoi në Luftën ruso-turke, ku komandonte një taborr të madh të asaj ushtrie. Ndërmjet shumë detyrave që kreu Hasan pasha në atë kohë, ishte dhe ajo e Komandantit të Xhandarmërisë së Sanxhakut të Prizrenit. Hasan Pasha kishte vetëm një djalë, Mehmetin, pasi të gjithë fëmijët e tjerë nuk i rrojtën. Ishte kjo arsyeja që Mehmeti nuk lindi në Tetovë, ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë të asaj familje, por në shtëpinë e Mulla-Velisë, në fshatin Gradec.

Pasi mbaroi mësimet e para në qytetin e Tetovës, Mehmeti shkoi në Stamboll ku u diplomua në Akademinë Ushtarake të atij qyteti. Pas kësaj ai shërbeu për disa vite si oficer në Anadollin e largët, ku u dallua për përgatitjen e lartë dhe u dërgua përsëri për studime në Stamboll, ku u diplomua në Akademinë Ushtarake (Argjani-her) të Shtatmadhorisë. Pas mbarimit të asaj akademie, Mehmeti vazhdoi përsëri karrierrën ushtarake, duke u emëruar si ushtarak i lartë shtatmadhor e shërbeu në disa shtete të ndryshme të Perandorisë Osmane. Në vitin 1978, kur nuk ishte më shumë se 35 vjeç, u gradua jashtë rradhe me gradën e gjeneralit dhe Porta e Lartë e emëroi me detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë në qytetin e Bagdatit dhe Halep të Sirisë. Ndërkohë në atë vit u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe babai i tij, Hasan Pasha, që ishte me detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë së Sanxhakut të Prizrenit, ishte një ndër nismëtarët e asaj Lidhje, ku mori pjesë si përfaqësues i Tetovës.

Roli i Hasan Pashë Derrallës në Lidhjen e Prizrenit ishte aq i madh, sa që Porta e Lartë e Stambollit dërgoi Mehmet Ali Pashën, për t’a bindur Hasanin, që të hiqte dorë nga Lidhja, por ai nuk pranoi. Edhe pas atij presioni nga ana e Turqisë, Hasan Pasha vazhdoi të ishte antar i Lidhjes dhe në atë kohë pa marrë parasysh rreziqet që i kanoseshin, ai shkoi vetë në Stamboll dhe i dorëzoi Portës së Lartë, memorandumin që u hartua në Lidhjen e Prizrenit. Kur u krijuan forcat e armatosura të Lidhjes, djali i tij, Mehmeti, u emërua në detyrën e Komandatit të Forcave të Armatosura të Lidhjes për qytetin e Tetovës. Pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, familja Derralla pati reperkursionin nga ana e Portës së Lartë të Stambollit dhe disa vite më vonë, Mehmet Pashai u internua në qytetin e Bagdatit, ku ai u martua përsëri, pasi gruaja e parë me të cilën kishte dy vajza, Haxherin dhe Nigjarin, i kishte vdekur.

Martesën e dytë ai e bëri me një vajzë turke të quajtur Nadibe, origjina e së cilës ishte çerkeze dhe ajo ishte e bija e një Pashai turk të internuar aty nga Sulltan Hamiti. Nga ajo martesë atyre i’u lindën nëntë fëmijë, (katër djem dhe katër vajza), të cilët u quajtën: Halim, Menyr, Gajur, Hysen, Qamile, Fatime, Samushe dhe Zyra. Pasi qëndroi për disa vjet i internuar në Bagdat, në vitin 1908, Mehmet Pashë Derralla përfitoi nga një amnisti e Portës së Lartë dhe u kthye në Tetovë. Edhe pse Mehmeti qëndroi për shumë vite i internuar në Bagdat, familja e tij vazhdonte të ishte një ndër më të pasurat e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, pasi ata ishin aksionar të Minierës së Kromit të Radushës, nga e cila fitonin të ardhura të mëdha. Në shtëpinë e Derralla-jve në qendër të Tetovës, e cila u rindërtua mbi themelet e së parës që u dogj nga turqit, në vitin 1912, u strehua dhe u mbjtën me bukë mbi 300 refugjatë kosovarë, që kishin lënë trojet e tyre nga raprezaljet e serbëve. Më pas Mehmet Pasha mori pjesë aktive në të gjitha kryengritjet shqiptare si komandanti i forcave vullnetare të Tetovës dhe për kontributin e dhënë, në fundin e nëntorit të vitit 1912, Ismail Qemali e ftoi në Vlorë dhe i ngarkoi atij postin e Ministrit të Luftës në Qeverinë e kryesuar prej tij.

Para se të nisej për në udhëtimin e gjatë për në Vlorë, Mehmet Pashë Derralla ngarkoi dy arka të mëdha në samarin e kalit, ku njërën e kishte të mbushur plot me flori, dhe tjetrën me uniformën e gjeneralit. Kur mbërriti në Vlorë, atë me flori i’a dhuroi të gjithë Ismail Qemalit, për arkën e Qeverisë së porsakrijuar, ndërsa uniformën e veshi që atë ditë, sapo i’u komunikua posti i Ministrit. Mehmet Pasha njihet si krijuesi i Ushtrisë së parë Shqiptare dhe njeriu që përgatiti vetë të gjitha rregulloret e urdhërat e saj. Pas rënies së Qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pasha shkoi për disa kohë në Shkodër dhe më pas u kthye në Tetovë, ku dy djemtë e tij, Halimi dhe Gajurin, vazhdonin të luftonin në krye të çetave shqiptare. Në vitin 1916, Mehmet Pasha u internua prej serbëve në Podgoricë, ku dhe u sëmur rëndë. Pas kësaj, atë e lejuan të kthehej në Tetovë, ku dhe ndërroi jetë në vitin 1918. Varrimi i tij u bë në Teqenë Bektashiane të Tetovës, ku ndodhet edhe sot. /Memorie.al

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...