Shkup, 28 nëntor – Me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit liderët partiak sot kanë uruar përmes mesazheve të urimit. Në vazhdim ju sjellim urimet e Bilall Kasamit nga Lëvizja Besa, Menduh Thacit nga PDSH dhe Ziadin Selës nga ASH.
Mbi idealet e të parëve të lidhur me Besë, një histori e artë e shkruar me shkronja Shqiptarie ngjyrë gjaku, të derdhura mbi flamurin më të bukur në botë. Gëzuar 28 Nëntorin, shkruan kështu Kasami në urimin e tij.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka përcjell mesazh urimi me rastin e Festës së Flamurit.
“Me respekt të veçantë përkujtojmë Ditën e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bartën te ne idenë për të qenë të lirë dhe krenarë. 28 Nëntori ka qenë dhe mbetet simbol i krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar.
Uroj që të gjithë së bashku të vazhdojmë në këtë rrugëtim drejt realizimit të aspiratave tona të përbashkëta.
Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Flamurit dhe Festën Kombëtare të Shqipërisë.”, ka uruar Thaçi.
28 Nëntori, festa e shumfishtë për kombin, edhe pse këtë vit po shënohet nën hijen e pandemisë, na bashkon si gjithmonë, për t’i festuar në mënyrë modeste ngjarjet historike, që lidhen me heroin tonë kombëtar, Skënderbeun dhe kohën kur i kthehet atdheut, Ismail Qemalin me shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe Komandanti Adem Jashari më luftën e UÇK-së.
Të gjitha këto ngjarje të lavdishme, pa Flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, nuk do e kishin shkëlqimin që e kanë, e as fuqinë emocionale dhe dashurinë e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen ata.
Gëzuar dhe urime të dashur bashkëkombas për këtë festë madhështore, që mision e ka bashkimin dhe dashurinë vëllazërore mes shqiptarësh!
Ziadin Sela
Aleanca për Shqiptarët