Historia e një familjeje të klasës së mesme në Berlin, jeta e së cilës ndryshon kur ata punësojnë një punonjëse siriane që të kujdeset për punët e shtëpisë, ka ndezur projektorin e edicionit të 75-të të Festivalit të Filmit në Berlin, njëra prej ngjarjeve më politike të këtij lloji.
Todd Haynes, që kryeson jurinë, ka thënë se bota ndodhet në një “gjendje krize të veçantë”dhe kineastët e kanë parë kthimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me shqetësim të jashtëzakonshëm
(AFP) – Regjisori gjerman, Tom Tykwer, e ka hapur Festivalin e Filmit në Berlin të enjten mbrëma me një dramë për një punëtore shtëpie siriane, në mes të një fushate elektorale kombëtare që është dominuar nga një debat i ashpër mbi migracionin.
Filmi i titulluar “The Light” (Drita), i cili u shfaq jashtë garës për çmimin kryesor të “Berlinales”, rrëfen historinë e një familjeje të klasës së mesme në Berlin, jeta e së cilës ndryshon kur ata punësojnë një punonjëse të re që të kujdeset për punët e shtëpisë.
Ky projekt njëherësh shënon rikthimin e regjisorit 59-vjeçar, Tykwer, në realizimin e filmave artistikë, pas një pauze të gjatë. Për një kohë ai është përqendruar në serinë e njohur të platformës Netflix, “Babylon Berlin”.
“Berlinale”, siç njihet festivali, do të mbyllet më 23 shkurt – të njëjtën ditë kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Gjermani, të cilat u caktuan pas shembjes së koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, në fund të vitit të kaluar. Me partinë ekstreme të djathtë AfD, që po përparon në sondazhe, migrimi ka qenë një çështje kryesore në agjendën e fushatës, në prag të votave të kontestuara ashpër.
“Berlinale”, që bashkë me Cannesin dhe Venecian renditet mes festivaleve kryesore evropiane, shërben si pikënisje kryesore për filmat nga e gjithë bota.
Skenaristi dhe regjisori amerikan, Todd Haynes, e kryeson jurinë e edicionit të 75-të të festivalit, kur gjithsej 19 filma garojnë për çmimin kryesor, “Ariu i Artë”.
Në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së enjte, pak para hapjes zyrtare të festivalit, Haynes ka thënë se bota ndodhet në një “gjendje krize të veçantë” dhe kineastët kanë parë kthimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me një shqetësim të jashtëzakonshëm. Regjisori ka thënë se shpreson që “Berlinalja”, që gëzon reputacionin e festivalit më politik ndërkombëtar të filmit, do të shërbejë si forum për t’i trajtuar ngjarjet globale.
Në konferencën për medie të mbajtur gjatë ditës së enjte, pak para hapjes zyrtare të “Berlinales” është cilësuar si një ngjarje e hapur ndaj diskursit sfidues dhe politik, duke e sjellë atë në film (Foto: AP)
“Ky festival ka pasur gjithmonë një forcë bindjeje dhe ka qenë i hapur ndaj një diskursi sfidues dhe politik, duke e sjellë atë në krijimin e filmit. Ajo që po ndodh në botë tani e ka vënë një urgjencë të shtuar për të gjithë këtë”, ka thënë Haynes për gazetarët.
Filmi i hapjes “The Light”, me një kastë të përbërë nga aktorë kryesisht gjermanë, tregon historinë e një familjeje moderne dhe komplekse që jeton në një apartament në Berlin. Kur një grua enigmatike e quajtur Farrah – e sapoardhur nga Siria – zhvendoset në shtëpinë e tyre si punëtore për mirëmbajtjen e shtëpisë, familja Engels e gjen veten duke vënë në dyshim mënyrën e jetesës së tyre dhe ndjenjat e fshehura dalin në pah.
Ardhja masive e refugjatëve sirianë dhe imigrantëve të tjerë në Gjermani, në vitet 2015-2016, ka ndihmuar në fuqizimin e mbështetjes për partinë AfD, e cila parashikohet të dalë si një nga partitë më të mëdha në zgjedhjet e Gjermanisë.
Vitin e kaluar organizatorët e “Berlinales” bënë bujë duke ndaluar pesë politikanë të partisë AfD, që ishin ftuar më parë, që ta ndjekin festivalin dhe duke u thënë atyre se “nuk ishin të mirëpritur”.
Tricia Tuttle, e cila mori rolin e drejtoreshës së “Berlinales” në prill të vitit të kaluar, ka thënë se kinemaja mund të jetë një akt “rezistence… ndaj të gjitha ideve të devijuara, që po përhapin shumë parti të ekstremit të djathtë në të gjithë botën dhe në Evropë”.
“Kjo është një hapësirë ku duam të mblidhemi dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të komunikojmë nëpërmjet kinemasë. Mendoj se vetë fakti që të gjithë jemi këtu së bashku, është një lloj rezistence”, ka thënë Tuttle.
Lista e filmave në konkurrencë për “Ariun e Artë” përfshin “Dreams”, një projekt nga regjisori meksikan Michel Franco, që flet për një balerinë meksikane dhe filmin “What Does that Nature Say to You”, nga regjisori koreanojugor i preferuar nga shumica, Hong Sang-soo.
Regjisori shquar i Hollywoodit, Richard Linklater, do të prezantojë dramën e re biografike me titull, “Blue Moon”, 11 vjet pas marrjes së “Ariut të Argjendtë” të “Berlinales” në kategorinë “Regjia më e mirë”, me filmin e tij “Boyhood”. Regjisori ka bërë bashkë aktorët yje si, Ethan Hawke, Margaret Qualley dhe Andrewa Scott, për ta sjellë në ekran historinë e kompozitorit të Broadwayt, Lorenzo Hart. Regjisori rumun Radu Jude, i cili mori “Ariun e Artë” në vitin 2021 me filmin “Bad Luck Banging or Loony Porn”, këtë vit garon me komedinë e errët, “Kontinental ‘25”. Lucile Haxhihaliloviq nga Franca do të prezantojë projektin “The Ice Tower”, një dramë fantazi me protagonist yllin francez të kinematografisë, Marion Cotillard. Regjisori koreanojugor, Bong Joon-ho, jashtë konkurrencës e prezanton filmin e ri, “Mickey 17”, me aktorin Robert Pattinson në rolin kryesor. Ndërsa aktorja britanike, Tilda Swinton, do të marrë një çmim special për arritje jetësore.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin mbahet nga 13 deri më 23 shkurt, kur është edhe ceremonia shpërblyese e këtij edicioni.
Marrë nga “Agence France-Presse”./ Koha.net