Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

TI JE VETËM NJERI, ALBIN!

Shkruan, Fadil Lepaja

Jo kot dikur perandorët romak e kishin një person me autorizime të veçanta, i cili e kishte për detyrë që në momentet e lavdisë kulmore kur perandori brohoritej, adhurohej nga turma, ai duhej të e kujtonte se ishte vetëm njeri. Perandorët e mençur e kuptonin këtë fakt, por megjithatë vazhdonin të silleshin si të ishin zoti vet, ndërkaq të tjerët që bëheshin modest, sundonin shkurt. Modestia edhe pushteti, duket sikur janë fjalë që nuk shkojnë bashkë për të përshkruar një sundimtarë të suksesshëm, asokohe. Ja për shembull, z. Rugova ishte modest, i durueshëm, por edhe kokëfortë. Ndërsa z. Demaçi ishte veç kokëfortë. Ishte i sakrificës, edhe vizionar. Politikan nuk ishte. As modest nuk ishte. Pas lufte zoti Thaçi ishte, Hashim! Tash, modest nuk ishte. Politikan u bë me kohën. Aq e pëlqeu zanatin sa harroi se ishte veç, Hashim! Kishte që ja kujtonin, këtë. Kishte edhe që i jepnin me pi “Red bull”. Po e kuptoni?

Sido që të jetë, Albini, në marrshin e tij për ndryshime, krijoi turbulenca të cilat e sollën në institucione. Natyrisht, gjithë ky tërmet nuk ndodhi vetëm për me e nxjerrë në sipërfaqe Albinin! Nëse e shihni nëpër rrjetet sociale, televizione, radio, e madje edhe në frigorifer, mund të fitohet përshtypja ndryshe, por nuk ndodhi gjithçka për Albinin. As Albini nuk e bëri gjithçka të ndodhë. Por ndryshimi ndodhi dhe ai ishte boshti i cili e ruajti shtetin dhe shoqërinë që të mos thyhet moralisht bashkë me partitë politike dhe garniturën në ikje qeverisëse. Një udhëheqës thuhet se nuk e bënë mendja e ndritur, por karakteri. Mendja e ndritur mund të jetë sa përparësi aq edhe pengesë në vendimmarrje. Sidoqoftë shpresa, e cila u formësua rreth tandemit Vjosa-Albin, e mbajti mbi ujë anijen tonë edhe nëpër furtunat të cilat i kaluam, e cila fal një qeverisje pa kurriz, u përfshi në përplasjet e të mëdhenjve në përmasa planetare.

Por, kush ja solli “RedBullin”, në tavolinën e Albinit, ende pa u ulur pranë saj? Kush po ja shërben këtë pritshmëri kolosale, dhe po ja shërben në tabaka të argjendtë pijen që të bënë me krah? Askush se përballon një pritshmëri të tillë, kur bien konjukturat e tilla të sundimit absolut që lënë shkreti pas vetes gjithë këtë shkreti.

Mund të ndodhë se e ka kuptua edhe vet. Ende nuk duket se e ka kapur dehja nga adhurimi publik. Ai po heshtë dhe po pret. Mosveprimi nuk ishte dhunti apo dobësi e tij më parë, por përkulja te varri i paqësorit Rugova dhe luftarakut Demaçi, sikur e ka formësuar në një model i cili i ka bërë kureshtar të gjitha palët. A do të mbetet vetëm njeri , edhe në rrobat e burrështetasit?

Ndërkaq populli pasi e bëri të veten, votoi, po vazhdon të rrijë në shtëpi dhe të shkruaj nëpër rrjete sociale, kryesisht. Me një dorë e përzien çajin, me tjetrën me hedhë statuse në rrjet, populli. Në rregull, më shpesh komente, sepse statuse më tepër nxjerrin … po e dini.

Përndryshe, ka një bojkot të medias manipuluese e cila sundoi dhe u thye bashkë me shefat nga politika. Media e re po shpurthë në dhimbjet e lindjes, dhe po mësohet me ecë. Në ndërkohë festa e fitores bahet në “Facebook”, edhe “Instagram”, ndërkaq politika e lartë zhvillohet në “Twiter”. E pamja për politikanët që nuk kaluan as nëpër lista kandidatësh e lëre më pragun, bahet kryesisht në “Facebook”.

Kuptohet, ne jemi Sui Generis, prej bombardimeve të NATO-s e këndej. E kemi adet, kur e rrëzojmë dikë i hipim shkelma përsipër, ndërsa të riun, fituesin, e ngrejmë në qiell , e bëjmë të shndris si një supernovë, pastaj e lëmë të bjerë vet me rënie të lirë. Bien e bie dhe ne themi se po fluturon. Edhe ja përmendim pijen që ja kemi shërbyer në tavolinën e punës. Atë që të bën me krah. “Ne të kemi bërë me krah”, i themi!

Te përmbledhim, llafin. Partitë e vjetra u thyen. Njëzet vite sunduan, duke bërë kombinimet më të çmendura dhe më të pabesueshme. Ndërkohë, kryesisht me lidershipin ndërkombëtarë u kryen shumë procese si ai i ndërtimit të institucioneve, popullimi i tyre me militantë partiak, edhe përfitues. Kryesisht përfitues e besnik.

Këtu përfshihen edhe ndërmarrjet publike, ku çdo lëvizje në qeveri ka shkaktuar tërmete edhe nëpër borde dhe nëpër drejtori të tyre. Sapo ndërronte kryeministri dhe ministrat, fillonte vrapi me i gjete ku janë dhe ku nuk janë akrabanë, dhe miqtë e tyre si mburojë, si tampon zonë por edhe si ndërmjetësues mes tyre dhe pushtetit. Kështu u gëzuan të gjithë. Jetuan të lumtur dy dekada.

Tash, edhe Albini, duhet të ketë akraba, shokë shkolle apo shokë burgu. Së paku dikë nga i njëjti kopsht? Është një garë e paparë nëpër institucione, ndërmarrje. Epo, edhe Albini njeri është, po thoshte dikush, në një debat të nxehtë. Duhet të ketë pasur telashe me lemzën, Albini.

Sfida është e madhe, edhe tundimi. Njeri i mirë apo pushtetar, apo qysh me i ba bashkë në një person? Historinë e kanë shkruar njerëzit e mençur, por … vetëm e kanë shkruar. Atë e kanë krijuar, kryesisht të tjerët duke ndjekur vijën e interesit dhe ambicies.

“Përjashtimet, e vërtetojnë rregullin”, ka thënë i moçmi. Jo, bre, fjalë janë, i moçmi ynë as i ka përmend përjashtime as rregullat. Është mare kryesisht me mexha e gjaqe. E mexha ka luejt, Albin! Edhe gjaqet duhet me i pajtua…

Postime të ngjashme

AGJËRIMI, DEVOTSHMËRIA DHE URTËSITË

Z H

Zhvillimi i (pa)barabartë rajonal në Maqedoni, Pollogu i lënë mbrapa

R Zh

Në udhëkryq apo në qarkore!

R Zh

Opinion Valon Salihu / Humori përçmues ndaj grupeve etnike nuk është shaka

R Zh

PËRJASHTOJENI NGA LETËRSIA, KONICËN!

Z H

Nuk është kompliment nëse tjetrin e shqetëson

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...