Shkup, 3 shtator – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski para gazetarëve sot ka folur për incidentin në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se çdo njeri ka të drejtë të veproj ashtu siç vlerëson se duhet të sillet apo nuk duhej të sillej. Tutje Toshkovski, potencoi se personi është suspenduar dhe MPB ka parashtruar kallëzim penal.
“Çdo njeri ka të drejtë të veprojë ashtu siç ka vlerësuar se duhet të sillet apo nuk duhej të sillej. Secili ka të drejtë të gabojë, por sistemi nuk duhet të gabojë. Në këtë rast sistemi ka dëshmuar se funksionon, për fat të mirë. Nuk ka funksionuar shumë shpesh në të kaluarën. Sistemi nuk duhet të gabojë dhe nuk do të gabojë dhe nuk gaboi as në këtë rast. Personi në këtë rast është suspenduar, për të njëjtin Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal dhe shpresoj që edhe Prokuroria do ta procesojë rastin në kuadër të kompetencave të saja. Shpresoj të njëjtën ta bëjë edhe Gjykata. Kjo situatë tashmë është zgjidhur”, u shpreh Pançe Toshkovski.
“Ministria për Punë të Brendshme do t’i përgjigjet çdo sfide që do t’i vihet në kuadër të kompetencave të saj. Ne kemi treguar deri tani se mund të përballemi me të gjitha sfidat dhe t’i zgjidhim ato në përputhje me rrethanat. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. A ka njoftime për trazira këtë vjeshtë, për sa i përket protestave – po, ka pasur informacione të tilla në periudhën e kaluar. A do të merremi me ta – po!”, tha Toshkovski.