Shkup, 25 qershor – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot realizoi takim pune me Laura Lungaroti, koordinator subrajonal për Ballkanin Perëndimor të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Sonja Bozhinovska Petriushevska, shefe e Zyrës së IOM-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njoftoi MPB.
Përfaqësuesit e IOM-it e uruan ministrin Toshkovski për zgjedhjen e tij dhe shprehën mbështetje për reformat e paralajmëruara në MPB.
Lungaroti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mirë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe IOM-it, veçanërisht në fushën e menaxhimit të kufijve.
Ajo e informoi ministrin Toshkovski se për momentin IOM-i është fokusuar në fushën e kthimit vullnetar të migrantëve, si një nga prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe në këtë pjesë pret bashkëpunim dhe mbështetje të suksesshme nga MPB-ja.
Përfaqësuesit e IOM theksuan se ndihma e deritanishme materiale dhe teknike që i ishte ofruar MPB-së përmes projekteve të financuara nga ana e BE-së do të vazhdojë edhe më tutje, si dhe se mbështetja e tillë mund të rritet në të ardhmen e afërt.
Ministri Toshkovski falënderoi për mbështetjen që Organizata Ndërkombëtare për Migrim i jep Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të punojë në drejtim të forcimit të kapaciteteve për sigurimin e kufijve shtetërorë, veçanërisht në pjesën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe për realizimin e këtij qëllimi do të nevojitet edhe përkrahja nga IOM-i, thuhet në kumtesën e MPB-së.