Shkup, 3 maj – Bashkimi Demokratik rikujton partitë, veçanërisht BDI-në, por edhe të gjithë qytetarët, se sipas nenit 99 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, mandati për përbërjen e Qeverisë i jepet kandidatit të partisë/partive që kanë shumicë (të paktën 61 deputetë).
Qeveria zgjidhet nga Kuvendi me shumicë votash nga 120 deputetë. Shumica është 61 deputetë.
Nuk ka votim të dyfishtë (Badenter) për zgjedhjen e Qeverisë, nuk parashikohet as me Kushtetutë, as me ndonjë marrëveshje apo ligj, as nuk ka praktikë të tillë.
Bëhet fjalë për manipulim klasik apo mosnjohje të sistemit politik dhe vendimeve kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë. Është fare e sigurt se pas 20 vitesh në pushtet, të paprekshmit nga BDI do të dërgohen në një opozitë afatgjatë dhe do të mbajnë përgjegjësi për grabitjen që bënë dhe për shkatërrimin e institucioneve dhe shtetit në tërësi.
Partia e supozuar pro-evropiane “hapi dyert e BE-së”, dhe gjatë qeverisjes së tyre mbi 800 mijë qytetarë emigruan në vendet e BE-së, në mesin e tyre mbi 200 mijë shqiptarë.
Të gjitha partitë kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në pas zgjedhjeve.
Është e qartë për të gjithë qytetarët, prandaj do të votojnë për ndryshime dhe LSDM do t’i bashkohet BDI-së në opozitë.