Shkup, 19 gusht – Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) Koce Trajanovski shpreson se para Vitit të Ri do t’i nxjerrin në terren “Behtel dhe Enka” me aktivitete për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d pasi të ketë përfunduar më parë shpronësimi dhe dislokimi i nevojshëm i linjave elektrike dhe telekomunikacionit.
Siç tha sot Trajanovski, intensivisht po punohet në shpronësimet për të cilat qeveria e kaluar ka dhënë afate që të kryhen vitin e kaluar dhe mjetet për këtë qëllim janë përtej një miliardë e 300 milionë euro të planifikuara për ndërtimin e autostradave.
“Është nënshkruar një marrëveshje e cila është specifike, e cila është bërë sipas një ligji të posaçëm dhe mendoj se, do ta them sërish qeveria e kaluar, kanë vendosur afate për shpronësimin dhe dislokimin e linjave elektrike dhe telekomunikacionit që është kompetencë e Republika e Maqedonisë dhe ato nuk hyjnë në ato miliardë e treqind milionë, që duhej të përfundojnë vitin e kaluar. Ne kemi bërë përpjekje intensive muajin e fundit dhe po bëjmë shumë përpjekje për shpronësim. Derisa ne të zgjidhim shpronësimin, ata nuk mund të hyjnë. Ata hyjnë pasi është pastruar toka, që do të thotë se është shpronësuar, janë zhvendosur kabllot, është bërë çminimi. Edhe projektimi është në kompetencë të Republikës së Maqedonisë, nuk është në ato miliardë e treqind, prandaj po punohet intensivisht që “Behtel dhe Enka” të fillojë sa më shpejt me punë. Shpresoj se para Vitit të Ri tashmë do t’i nxjerrim në terren”, tha Trajanovski gjatë vizitës në Kavadar.
Trajanovski theksoi se bëhet vështirë për mjete shtesë përveç një miliard e treqind milionë euro të planifikuara për rrugët.
Drejtori i NPRRSH-së po ashtu bëri të ditur se janë duke e shqyrtuar problemin e banorëve të fshatit Oreovec të Prilepit, të cilët bllokojnë rrugët dhe pengojnë gërmimet e “Behtel dhe Enka” për pjesën Prilep-Manastir, me arsyetimin se po prishet statika e shtëpive të tyre dhe do të shkatërrohen burimet për ujë.
“Ne po shqyrtojmë këtë problem. E gjithë kjo është nga qeveria e kaluar dhe nga kryetari i mëparshëm i cili ka qenë në detyrë që nga prilli i këtij viti, prandaj është një problem i trashëguar që duhet ta zgjidhim edhe më tutje”, tha Trajanovski.
Më 8 mars të vitit të kaluar, konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka” nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e mëparshme, në të cilën u angazhua deri në vitin 2027 për të ndërtuar katër autostradë 110 kilometra në korridoret 8 dhe 10-d. Marrëveshja mbulon autostradat e Korridorit 8: Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë (22.5 kilometra), Gostivar – Bukojçan (30.1 kilometra), Tetovë – Gostivar (mbi 17 kilometra) dhe Prilep – Manastir (40 kilometra) nga Korridori 10 – d.