Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se dëshiron të takohet së shpejti me presidentin rus, Vladimir Putin për të siguruar përfundimin e luftës gati trevjeçare në Ukrainë.
Para fitores në zgjedhje, Trump ka deklaruar dhjetëra herë se do të arrinte një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë që në ditën e parë të mandatit presidencial, nëse jo më parë. Megjithatë, këshilltarët e tij tani pranojnë se zgjidhja e konfliktit do të marrë muaj.
“Do të doja shumë të takohem së shpejti me presidentin Putin për ta përfunduar këtë luftë. Miliona jetë po humbasin, është një masakër”, tha 78-vjeçari përmes një video-lidhjeje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Ai gjithashtu theksoi se përpjekjet e SHBA-së për të siguruar një zgjidhje paqësore janë në proces, por nuk dha detaje.
Trump kërcënoi Rusinë me sanksione të reja nëse “tani” nuk arrin një marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë fund konfliktit që filloi para tre vitesh.
“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të rris taksat, tarifat dhe sanksionet ndaj gjithçkaje që Rusia mund të shesë SHBA-së, si dhe vendeve të tjera që do t’i bashkohen”, pohoi ai.
Moska iu përgjigj duke theksuar se është e gatshme për dialog, por “me respekt të ndërsjellë”.