Agjencia Zhurnal.mk

Trump shton kërcënimet ndaj Iranit

Presidenti i SHBA Donald Trump i shtoi kërcënimet kundër Iranit të martën, duke thënë se një sulm i Teheranit ndaj “çdo gjëje amerikane” do të “përballet me një përdorim force të madhe dhe të pakufizuar”.

Udhëheqësi amerikan tha se në disa raste, “e pakufizuar do të thotë zhdukje”.

Ai e quajti “shumë injorante dhe fyese” deklaratën e bërë nga Irani disa orë më parë, ku thuhej se Teherani po i jepte fund mundësisë së bisedimeve diplomatike me SHBA pas ashpërsimit të sanksioneve ekonomike nga Presidenti Trump kundër Iranit.

Sanksionet e vendosura të hënën, në mënyrë specifike vinin në shënjestër udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Presidenti Trump tha se deklarata e Iranit “tregon thjesht se ata nuk e kuptojnë realitetin”.

Ai tha: “Udhëheqja e Iranit nuk i kupton fjalët ‘mirësi’ ose bujari, ata kurrë nuk i kanë kuptuar. Mjerisht, gjërat që ata kuptojnë janë Forca dhe Fuqia, dhe SHBA-të janë fuqia ushtarake më e madhe në botë, me 1.5 trilion dollarë të investuara vetëm gjatë dy viteve të fundit.”

Presidenti Trump tha se “populli i mrekullueshëm iranian po vuan dhe për kurrfarë shkaku. Udhëheqja e tyre i shpenzon të gjitha paratë për Terror, dhe pak për gjëra të tjera”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara “nuk e kanë harruar “përdorimin e eksplozivëve nga Irani për të vrarë 2.000 amerikanë.” Nuk është e qartë se çfarë sulmesh i referohej presidenti amerikan.

Presidenti Trump gjithashtu hodhi dyshime mbi dy figura politike të SHBA, duke thënë, “S’ka më John Kerry dhe Obama!” duke hedhur poshtë përsëri paktin ndërkombëtar të negociuar nga ish-Sekretari i Shtetit Kerry dhe ish-Presidenti Barak Obama për të ndalur zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit. Zoti Trump u tërhoq nga marrëveshja e vitit 2015 vitin e kaluar dhe vendosi sanksione që synonin të dobësonin ekonominë e Iranit në përpjekje për ta detyruar atë të përfshihej në negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Para se zoti Trump të komentonte, presidenti iranian Hassan Rouhani i quajti sanksionet e reja “të egra dhe idiote” dhe i përshkroi propozimet e SHBA për bisedime diplomatike si “pa vlerë.”

SHBA thonë se mund të vendosin sanksione edhe ndaj Ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, por presidenti Rouhani, në një fjalim televiziv, tha: “Ju i vini sanksione ministrit të jashtëm dhe në të njëjtën kohë kërkoni bisedime?”

BOLTON: JEMI TË HAPUR PËR BISEDIME REALE

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha të martën në Jeruzalem se presidenti Trump “e ka derën e hapur për negociata reale”, por sipas tij Irani është përgjigjur me “heshtje shurdhuese”.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...