Agjencia Zhurnal.mk

Turizmi kjo pasuri e humbur e Shqipërisë

Shkruan: Anisa Bahiti

Jemi mësuar që sa herë fillon një sezon i ri politik në Shqipëri dëgjojmë qeveritë të shpallin prioritet turizmin dhe bujqësinë. Jemi mësuar të dëgjojmë gjithashtu qeveritë që sa herë afron vera i bien gjoksit sesa “shumë” po mundohen për turizmin në vend.

Po si qëndron e vërteta?

Mjafton të shohim shifrat dhe do kuptojmë sesa larg jemi nga realiteti që trumbetojnë qeveritë tona ndër vite.

Turizmi malor është një mundësi shumë e madhe për punësim sidomos në zonat e thella dhe rurale të Shqipërisë. Ky vend, plot male të bukura dhe të veçanta, nga Alpet ne Veri e deri tek vargmalet që na ndajnë me Greqinë me zero impiante skiimi për turistët vendas dhe të huaj. Këto impiante gati nuk ekzistojnë më as në ato vende ku kanë qenë më parë si Voskopojë, Dardhë apo diku tjetër. Ka ekzistuar një̈ projekt që quhej në fillim 100 bujtinat e më vonë 100 fshatrat, ku rezultati i tyre është hiç̧ dhe asgjë. Ato pak investime në hoteleri, apo restorante, janë të gjitha me fonde private dhe sipërmarrësit e tyre e dinë se çfarë heqin për të mbyllur vitin. Mjafton të kthesh sytë nga Alpet dhe te kuptosh se rruga e Thethit nuk u mbarua kurrë. Asnjë̈ rrugë nuk lidh territorin e Tropojës me Shkodrën. Alpet tona përbejnë një nga rajonet më origjinale, më piktoreske e më madhështore të vendit, por që të lëna pas dore ne procesin e zhvillimit ekonomik dhe pak të vizituara, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt, rezultojnë̈ të panjohura mirë dhe në të njëjtën kohë të mënjanuara në procesin e tranzicionit politik dhe ekonomik të vendit. Niveli i investimeve në turizmin malor është gati hiç̧ dhe përpjekjet e atyre pak njerëzve për të bërë sipërmarrje në këtë drejtim janë heroike.

Nuk është korona virusi kërcënimi kryesor për sektorin e bujqësisë në Shqipëri. Ka një krizë të trashëguar që lidhet me mungesën e investimeve, mbështetjen e munguar te qeverive për fermerët që e kanë lënë sektorin në kufijtë e primitives.

Turizmi bujqësor është një tjetër goditje për turizmin ku ekzistojnë disa projekte seriozë për të bërë disa ferma resorët turistike, por edhe në këtë rast fatkeqësisht shohim vetëm disa ministra, ish-ministra dhe deputetë apo njerëz të politikës që kanë përfituar nga ish Granti Japonez apo fondet e AZHBR. Përtej kësaj, kapacitetet e turizmit bujqësore janë të pamjaftueshme dhe shumë larg për të qenë faktor i rëndësishëm në industrinë e turizmit.

Turizmi detar dhe veror, i vetmi që gjeneron punësim në verë dhe qarkullon para në vend. E para turizmi ynë veror detar është sasior dhe jo cilësor. Mjafton të shohësh bregdetin e Durrësit dhe ndërtimet e çmendura kudo për ta kuptuar këtë gjë. Ato pak resorët cilësorë që ekzistojnë, vuajnë që nga mungesa e personelit të specializuar, tek taksidarët kudo prezentë, problemet me energjinë elektrike, e deri tek papastërtitë që duken sikur jenë në “habitatin” e tyre .Vlora, Saranda janë̈ katastrofa mjedisore me ndërtimet pa fund që më shumë i ngjajnë Kabulit, sesa Kanës apo ndonjë qyteti të ngjeshëm turistik, qoftë ky edhe Tivari në Malin e Zi fqinjë. Në tregun tonë mungojnë tërësisht emrat e mëdhenj të turizmit botëror apo të operatorëve të rëndësishëm rajonalë si Club Mediterranee, Tui, Hilton group, ACCOR apo Sheraton. I vetmi aeroport ndërkombëtar që kemi është dëshmi e faktit sesa larg turizmit është ai dhe sesa orë i duhen turistëve të mbërrijnë në breg, apo Sarandë. Dy aeroportet, ai i Vlorës, apo i Sarandës, mbeten ëndrra në sirtar apo në rastin më të mirë fantazi në 3D të Kryeministrit të radhës, ndërkohë që në Greqinë përreth Sarandës, ndodhen 3 aeroporte; ai i Prevezës, Janinës dhe Korfuzit.

Stina turistike në vendin tonë mjerisht zgjat nga 60 deri në 90 ditë në rastin më të mirë. Ndërkohë që sezoni i fqinjëve tanë është të paktën 150 ditë, nga maji në tetor. Po të llogarisim që vendi ynë ka 3 liqene, ai Shkodrës, Pogradecit dhe të Prespës dhe të shohësh që numri i turistëve të huaj në këto liqene është pothuaj inekzistent, bëhet e qartë që prioriteti ynë për ketë realitet është po aq i ulët sa shifrat reale. Buxheti i shtetit për turizmin në raport me GDP është qesharak e jo më buxhet për t’u kalkuluar si prioritet për zhvillimin e vendit.

Turizmi në Shqipëri mund të jetë një burim i madh pasurimi gjithmonë nën paktin që lakmia mos masakrojë këto pasuri të vendit tonë . Por për fat të keq, këtë fenomen të një rëndësie kombëtarë mesa duket krerët e lartë të politikbërjes në Shqipëri nuk e kanë kuptuar.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...