Shkup, 29 prill – Turqia ka shprehur gatishmërinë që të pranojë deri në 15 pacientë nga tragjedia e Koçanit për rehabilitim afatgjatë, mbi një vit dhe ajo të jetë pa pagesë, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Taravari tha se me kryeministrin Mickoski kanë pasur një takim më të gjatë me ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, ndërsa një nga temat ka qenë tragjedia në Koçan.
“I falënderova për atë që bënë atje për pacientët tanë. Ata shprehin gatishmërinë e tyre për të trajtuar 10 deri në 15 pacientë të tjerë të cilët do të kenë nevojë për rehabilitim afatgjatë, mbi një vit dhe ajo të jetë pa pagesë. Për momentin, nëse është mund të dërgojmë menjëherë katër deri në gjashtë pacientë, nëse është e nevojshme. Me kalimin e kohës, deri në maksimum pesëmbëdhjetë. Ky është një lajm shumë i mirë”, tha Taravari në pyetjen e gazetarëve.
Gjatë vizitës së tij në Turqi, siç tha ai, ka vizituar dy pacientë të cilët ishin të kontaktueshëm, ndërsa prindërit e tyre janë shprehur të kënaqur me trajtimin dhe kanë insistuar që rehabilitimi të vazhdojë atje.
Gjashtëdhjetë e dy persona humbën jetën nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, mëngjesin e 16 marsit, ndërsa rreth 200 u lënduan, pas çka u transferuan për trajtim në spitalet e vendit, por edhe jashtë vendit.