Kuvendi i Turqisë të martën formoi një komision për hetime rreth shkeljes së të drejtave të njeriut në Nagorno-Karabak, ku po luftohet nga 27 shtatori.
“Si komision, misioni ynë është që të shikojmë për krime lufte që janë kryer dhe gjithashtu ta marrim vëmendjen e opinionit botëror për pasojat në civilë”, tha Hakan Cavusoglu, kryetar i komisionit për të drejtat e njeriut.
Nënkomisioni që do të funksionojë në kuadër të këtij komisioni do ta hetojë edhe gjendjen e qytetarëve turq me prejardhje armene, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Cavusolgu tha se të drejtat e qytetarëve me prejardhje armene janë nën mbrojtjen e ligjit të shtetit.
“Turqia kurrë nuk do ta pranojë ndërtimin e ndonjë raporti mes qytetarëve tanë, përfshirë mijëra armenë që punojnë ilegalisht në vendin tonë, dhe përleshjeve mes dy vendeve”, tha ai.
Luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit filluan me 27 shtator. Prej asaj kohe, qindra njerëz janë vrarë nga të dyja palët. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje që të ndërpriten menjëherë luftimet.
Një armëpushim u arrit në Moskë disa ditë më parë, por palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe raportohet se luftimet po vazhdojnë.