Më shumë se 940 qytetarë, shumica fëmijë, kanë mbërritur në rajonin e Moskës që kur Ukraina nisi inskursionin më të madh në rajonin perëndimor të Rusisë në fillim të këtij muaji. Rreth 400 qendra të përkohshme akomodimi janë krijuar në të gjithë Rusinë për të strehuar rreth 30,000 banorë të zhvendosur.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Rusia u ka sjellë luftë të tjerëve dhe tani luta po u kthehet në shtëpi. Në një fjalim ai u shpreh se operacionet sulmuese në rajonin e Kurskut të Rusisë mund të ndihmojnë në afrimin e paqes, duke ushtruar presion mbi Vladimir Putinin e Rusisë.
“Ne e shohim se sa e dobishme mund të jetë kjo për afrimin e paqes. Rusia duhet të detyrohet në paqe nëse Putin dëshiron të vazhdojë të bëjë luftë,” shtoi ai.
Aktualisht ushtria ukrainase thotë se trupat e saj tani kontrollojnë 1000 km katror të territorit rus. Forcat ukrainase në Kursk po tentojnë të rrethojnë Sudzhan, ku gazi natyror rus kalon për në Ukrainë, ndërkaq një betejë e madhe po zhvillohet afër Korenevos, rreth 22 kilometra larg kufirit dhe në Martinovka, sipas blogerëve rusë të luftës.
Nga ana tjetër Shërbimi i Inteligjencës së jashtme ruse ka bërë të ditur se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po merr masa të çmendura që kërcënojnë përshkallëzimin shumë përtej Ukrainës. Agjencia akuzon Zelenskyn se ka iniciuar “lëvizje të pamatur “sepse ai është i shqetësuar kryesisht për ruajtjen e pozitës së tij të pushtetit”.
Putin ka bërë të ditur se Ukraina po shpreson se sulmi do të shkaktojë trazira publike në Rusi, por nuk ka arritur ta bëjë këtë dhe pretendoi se numri i vullnetarëve për t’iu bashkuar ushtrisë ruse është rritur për shkak të sulmit.
Ndërkaq Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shkatërruar 30 nga 38 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës. Dronët kishin në shënjestër Kursk, Voronezh dhe rajonin Belgorod, ndërsa e gjithë Ukraina është nën alarme të reja për sulme ajrore ruse.