Ulja e borxhit publik sukses apo vetëm mjegull para elektorale?

nga I.A
Getting your Trinity Audio player ready...

Shkup, 22 maj – Nga fundi i vitit 2024, borxhi publik i Maqedonisë së Veriut kishte arritur 62.4% të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) – një shifër alarmante që i shtoi shqetësimet për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave tregojnë një rënie në 57.7% në tremujorin e parë të vitit 2025, çka është përshëndetur si sukses. Por pyetja që lind është: a ka vend për entuziazëm, apo kemi të bëjmë me një narrativë të bukur për fushatë? shkruan Zhurnal.

Borxhi publik zbret, por a është kjo zgjidhje apo vetëm premtim elektoral?

Profesori universitar Bashkim Selmani mendon se ulja e borxhit është më shumë kozmetike sesa strukturore. Në një prononcim për TVM2, ai theksoi se institucionet vendore janë të zhytura në borxhe nga 60 deri në 85 për qind, duke u bërë jofunksionale dhe të varura.

“Këto institucione trajtohen si pronë partiake, jo si shërbim publik. Gjendja ekonomike është e rëndë dhe borxhi publik është vetëm një nga simptomat”, tha Selmani.

Ai akuzon qeverinë, konkretisht VMRO-DPMNE-në, se ka devijuar nga premtimi për ulje të borxhit dhe sjellje të investimeve, ndërkohë që realiteti në komuna dhe institucione flet për bllokim dhe paaftësi për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, kryeministri, Hristijan Mickoski, përpiqet të ofrojë një tjetër këndvështrim. Ai mbetet optimist, edhe përkundër nënshkrimit të një marrëveshjeje me Mbretërinë e Bashkuar, e cila përfshin një huamarrje prej 6 miliardë eurosh.

“Bëhet fjalë për investime kapitale, jo për borxhe që do të shkojnë për paga apo transferta sociale. Nëse BPV rritet më shpejt se borxhi, atëherë përqindja e borxhit në raport me ekonominë do të ulet”, u shpreh ai.

Kjo marrëveshje e gjerë përfshin fusha si siguria, arsimi, tregtia dhe investimet, dhe sipas ambasadorit britanik në Shkup, Matthew Lawson, nuk ka të bëjë me “pranim migrantësh” siç është përfolur në media, por me një partneritet strategjik.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja ekonomike nuk vjen vetvetiu, dhe një huamarrje e madhe edhe nëse është për investime duhet të menaxhohet me kujdes të jashtëzakonshëm për të mos e çuar vendin në një krizë të re borxhi në vitet që vijnë.

Sepse në fund të fundit, qytetarët nuk ushqehen me përqindje por me mundësi reale për punë, shërbime funksionale dhe një shtet që nuk ngelet peng i borxheve të veta.

Të rinjtë kërkojnë mundësi, jo borxhe të pashpjeguara –

Përtej grafikëve dhe deklaratave optimiste, realiteti për qytetarët veçanërisht për të rinjtë mbetet i njëjtë, mungesë e vendeve të punës, emigrim dhe mungesë perspektive. Në këtë kontekst, çdo huamarrje që nuk kthehet në mundësi të prekshme për punësim dhe zhvillim është vetëm një barrë më shumë mbi supet e brezit të ardhshëm.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë nevojë për statistika që zbukurojnë të vërtetën, por për politika që krijojnë vende pune, kushte për jetë dinjitoze dhe institucione funksionale. Borxhi publik nuk është problem vetëm kur është i lartë, por kur paratë që merren nuk dihet ku përfundojnë.

Nëse qeveria kërkon besueshmëri, duhet të tregojë qartë dhe me transparencë se si çdo euro e marrë borxh do të kthehet në investim konkret dhe përfitim për qytetarin. Përndryshe, gjithçka mbetet një histori tjetër parazgjedhore dhe e njohur për të gjithë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More