Shkup, 24 prill – Ulja e nivelit të papunësisë në shifra rekorde si asnjëherë më parë, rritja e e rrogave në masë prej 10% janë dy sinjale qëë rrisin optimizmin se mund të bëhet ky vend, dhe se mund të jetohet edhe në këtë vend. Përkundër, gjithë pengesave tjera që mund t’i has kjo përbërje qeveritare nëse arrin vërtetë të vazhdojë me këtë avaz kjo dukshëm do të rriste mundësitë reale për të pasur perspektivë dhe vizion të qartë për të jetuar në këtë vend, shkruan Zhurnal.
Rrogat në Maqedoninë e Veriut shënuan rritje afër 10 përqind –
Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e rrogës mesatare për 9.6 përqind në shkurt, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
“Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit shkurt 2025, është 43 053 denarë. Në shkurt të vitit 2025, krahasuar me shkurtin e vitit 2024, paga mesatare mujore neto për të punësuar është më e lartë për 9.6%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Krahasuar me shkurtin e kaluar, kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes në veprimtari të patundshmërisë (16.6 %), industrinë përpunuese (11.5 %) dhe arsim (11.4 %), ndërsa në krahasim me muajin paraprak kemi rritje më të madhe të sektori për informim dhe komunikim (4 %). Në Maqedoninë e Veriut, rroga mesatare bruto gjatë muajit shkurt arriti në 64 634 denarë.
Në marshin e fundit protestues, anëtarët e organeve më të larta në LSM-së kërkuan para Qeverisë tërheqjen e vendimit për rritjen e pagës minimale për 1.800 denarë dhe uljen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar në nivelin e pagës minimale. Nga LSM gjithashtu kërkuan të ndalojnë sulmet ndaj sindikatave.
Ata i kanë dërguar propozim kryeministrit Hristijan Mickoski që bashkërisht të miratohet paga minimale prej 500 euro, si dhe të rriten pagat e tjera për 100 euro. Nëse nuk rritet paga minimale, kryesia e LSM-së shpall grevë të përgjithshme dhe nëse nuk rriten pagat e punëtorëve, shpallin protestë. Për 1 maj pritet të ketë protesta.
Papunësia bie në nivel rekord – vetëm 11.9% –
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në emisionin “Biznes+” tha se tregu i punës po përjeton rezultate konkrete dhe të prekshme.
Sipas tij, papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik – vetëm 11.9%. Ai theksoi se vetëm në muajt e fundit punësimet janë rritur për 46%, duke dëshmuar se politikat e ndërmarra po japin efekt.
“Për herë të parë, papunësia zbriti në 11.9%. Kjo është dëshmi se gjërat kanë filluar të ndryshojnë pozitivisht”, deklaroi Durmishi.
Ministri u shpreh se këto janë rezultate që qytetarët duhet t’i dinë, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Ky është lajm i mirë dhe shpresdhënës për të gjithë ata të rinj që kanë ndarë mendjen të qëndrojnë brenda vendit, pasi do duhet të merren me brengat tjera pasi çështja e punësimit të tyre nuk është më çështje delikate dhe pa zgjidhje. Për faktin se niveli i papunësisë sa shkon e ulet më shumë.
Prandaj, institucionet e shtetit nëse vërtetë duan ta ndalin migrimin e të rinjve mekanizmat i kanë në duar, të krijojnë ambient të sigurt dhe meritokraci absolute, të funksionojë drejtësia dhe institucionet e shtetit pa dallime etnike e partiake. Secili qytetarë të ndihet i sigurt dhe i kënaqur me vendin e vet e në vend të vet.
Çështja e punësimeve po zgjidhet edhe përmes investitorëve të huaj, por në fakt edhe këtu duhet të luajnë rol institucionet e vendit për të tërhequr sa më shumë. Sepse, investitorët nuk vijnë aty ku nuk ndihmohen e mirëpriten, nuk vijnë aty ku u kërkohen shumë marramendëse parash, këtu gjëra duhet të marrin fund. Edhe në këtë vend ka shpresë e mund të jetohet vetëm lidershipi duhet të reformohet. /Zhurnal.mk