Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Universi i shprehjeve artistike si mozaik me 40 vepra

Vërtetësia shprehëse e dyzet krijimeve është afirmim i autorëve e po aq edhe i krijimtarisë artistike të kohës së tyre. Stile, teknika e forma të llojllojshme janë përthyer në ekspozitën që shpalos atributet krijuesve të artistëve pamorë në Kosovë.

Për njohësit e artit, karakteri jotematik i kësaj ngjarjeje e ka vënë në spikamë pikëpamjen që artin e sheh në dinamikën historike si frymë të kohës.

Nën organizimin e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës (AAVK), të enjten në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita kolektive me veprat e 40 krijuesve.

Në këtë ekspozitë vjetore, të dytën me radhë, janë përzgjedhur kryesisht piktura tok me dy instalacione dhe një skulpturë, të realizuara gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar.

Në hapje të ceremonisë, kryetari i AAVK-së, Kamuran Goranci, e ka cilësuar këtë vit si të vështirë e plot sfida.

“Megjithatë, ne ia arritëm që me gjithë vështirësitë e pandemisë ta realizojmë këtë ekspozitë vjetore”, ka thënë Goranci, ndërsa ka falënderuar për mbështetje Ministrinë e Kulturës, si dhe Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

E pranishme në ngjarje, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar ekspozitën si një ngjarje relaksuese në rrethanat e pandemisë.

“Për secilin nga ne gjendja e sivjetme ishte një sfidë e madhe, por ekspozita tregon se shpirti i artistëve nuk mund të burgoset”, ka thënë ajo.

Në vazhdim, AAVK-ja ka ndarë tri çmime të njëjta për Agim Salihun (grafikë), Luan Mulliqin (skulpturë) dhe Haxhi Kastratin (pikturë).

Sipas tekstit kuratorial të ligjëruesit të historisë së artit në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, ekspozita vjetore e AAVK-së po trashëgon dhe mirëmban një shprehi ekspozimi që në vete përfaqëson një traditë kulturore të lexueshme si kronologji të historisë së arteve pamore në Kosovë.

“Ekspozimi i rregullt për çdo vit, që Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës po u bën veprave të anëtarëve të tij dhe jo vetëm, është një event që më së paku injoron, a ndoshta refuzon, ta rrudhë artin në përmasën e tij estetike. Kjo, meqë nëpërmjet ekspozimit kolektiv dhe për më tutje jotematik, theksohet pikëpamja që e sheh artin në dinamikën historike si frymë të kohës së tij”, thuhet në tekstin e katalogut të ekspozitës. “Nën shenjën e pandemisë së virusit COVID-19 që po shënjon edhe kohëzgjatjen e kësaj ekspozite, kjo pikëpamje mbi artin kuptimësohet edhe më në plotni”.

Kamuran Goranci, që kishte ekspozuar pikturën e tij “Abstraksion”, akrilik në pëlhurë, ka thënë se punimet e përfshira në ekspozitë nuk janë paraqitur në mënyrë tematike.

“Temat kanë qenë të lira, por gjysma e artistëve kanë zgjedhur tema aktuale, siç është pandemia. Secili në gjuhën e tyre ka shprehur mendimin e vet artistik”, ka thënë Goranci për KOHËN. Po këtë vit, në fillim të muajit korrik, AAVK-ja kishte realizuar edhe edicionin e parë të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit.

Ndërsa ishte përfaqësuar me pikturën vaj në pëlhurë “Profile dardane”, piktori Isa Alimusaj e ka vlerësuar si nismë të mirë këtë ekspozitë, meqë, sipas tij, artistët është mirë të jenë në garë me njëri-tjetrin për të parë veten se ku janë.

“Kjo është mrekullia e ekspozitave kolektive”, ka thënë Alimusaj, “sepse artistët pa u përballur me të tjerët dhe pa bërë krahasime mund të punojnë kot”.

Ish-drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka vlerësuar se kjo ekspozitë është një nismë e rëndësishme për artin dhe artistët në Kosovë që nuk e kanë shpesh rastin të jenë pjesë e ngjarjeve të tilla.

“Në këso ekspozitash theksohet komuniteti artistik dhe ndjenja që je pjesë e tij”, ka thënë Agani, e cila është paraqitur me pikturën e saj “CO2” të realizuar gjatë këtij viti.

Ndryshe, komisioni përzgjedhës i ekspozitës – në përbërje të Esat Valles, Musë Prelvukajt dhe Musa Kalaveshit, ka përfshirë veprat e artistëve Agim Salihu, Agron Mulliqi, Alban Meka, Arbnor Morina, Arsim Kajtazi, Arta Agani, Bardha F. Buza, Besim Gashi, Bujar Lahu, Dardana G. Iliyaz, Dije Bllaca, Erzen Vala, Esat Valla, Faik Krasniqi, Fatmir Behrami, Faton Mazreku, Hajrush Fazliu, Haki Xhakli, Haxhi Kastrati, Idriz Berisha, Isa Alimusaj, Kamuran Goranci, Klodian Valla, Leoneta Abdyli, Leonora Zenelaj, Lirie Rr. Hajdari, Luan Mulliqi, Majlinda Kelmendi, Merita Maloku, Muhamet Ahmeti-Metisi, Musë Prelvukaj, Naim Spahiu, Naska Gorani, Pranvera Sylejmani, Saranda Kika, Shkurte Ramushi, Trific Tomislav, Zake Prelvukaj, Zeni Ballazhi dhe Zymer Mulliqi.

I themeluar tre vjet më parë, Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës është një organizatë joqeveritare, joprofitabile dhe profesionale, në të cilën në bazë vullnetare janë të bashkuar artistët përmes shoqatave të artit vizual të të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Asociacioni ka për mision rritjen e mbështetjes ligjore në mbrojtjen e të drejtave të artistëve vizualë të Kosovës, dhe avancimin e promovimit të identitetit kulturor dhe artistik në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Postime të ngjashme

Ministria e Kulturës anashkalon festivalin “Bletëzat”

D J

Akademia e Shkencave po bën hartimin e tri veprave madhore albanologjike

S.B.

Del në ankand një pikturë e rrallë e Van Gogh

S.B.

Ministria e Kulturës në vitin 2021 me mbështetje të projekteve për zhvillim, afirmim dhe promovim të kulturës

D J

Mesazhi në kryeveprën “Britma” hap kapitull të ri në biografinë e Munchut

S.B.

Filmi shqiptar korr sukses në Toronto

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...