Shkup, 12 qershor – Deri në redaksinë tonë ka arritur një letër e hapur drejtuar Universitetit “NËNË TEREZA” në Shkup.
Letra e plotë në vijim
Ne, një grup punonjës të përkushtuar, të angazhuar që në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup që e kemi kontribuar në mbarvajtjen e këtij institucioni me përkushtim, përvojë dhe idealizëm të sinqertë, ndjejmë sot një detyrim moral e profesional të pakompromis për të ngritur zërin dhe për të alarmuar për rrezikun serioz që po i kanoset këtij institucioni.
Universiteti “Nënë Tereza”, i ndërtuar me shumë sakrificë për të qenë vatër dinjiteti, dijeje dhe barazie, po përballet me një krizë të thellë: krizë drejtimi, krize legjitimiteti dhe krizë vlerash. Prej kohësh, jemi dëshmitarë të shkeljeve të rënda në funksionimin institucional, të abuzimeve me procedura dhe të praktikave që cenojnë rëndë etikën akademike dhe ligjshmërinë.
Shkeljet janë të rënda dhe sistematike:
- Emërime dhe angazhime të paligjshme në pozita akademike, jashtë çdo gare apo kriteri profesional.
- Margjinalizim i stafit të brendshëm, frikësim dhe rishpërndarje punitive e profesorëve kritikë.
- Paralizim i funksionimit të organeve akademike, veçanërisht Senatit, që nuk funksionon sipas statutit dhe ligjit.
- Vendimmarrje të centralizuara dhe të njëanshme, pa konsultim, pa transparencë dhe pa dokumentacion të rregullt.
- Keqmenaxhim i buxhetit universitar, me shpenzime të pajustifikuara dhe mungesë të theksuar llogaridhënieje.
Këto veprime nuk janë më thjesht mangësi administrative apo probleme të përkohshme. Ato janë shkelje strukturore që rrezikojnë legjitimitetin e universitetit, dëmtojnë të ardhmen e studentëve dhe cënojnë rëndë dinjitetin e stafit akademik.
UNIVERSITETI “NËNË TEREZA” ËSHTË PASURI PUBLIKE, JO PRONË PRIVATE
Këtë institucion nuk e themeloi asnjë individ me emër të veçantë, por as e mbati gjallë veprimtarinë e saj, por një ideal i përbashkët – për të ndërtuar një hapësirë arsimore të denjë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, dhe të hapur për të gjithë, të ndërtuar mbi parimin e meritës, ligjshmërisë dhe respektit të ndërsjellë. Askush nuk ka të drejtë ta përdorë këtë institucion për interesa personale, politike apo grupore.
Kërkojmë veprim urgjent dhe institucional
Ne, një grup i gjerë i stafit akademik, i kërkojmë Senatit të Universitetit dhe institucioneve përkatëse shtetërore që urgjentisht të ndërmarrin veprime konkrete për:
- Kthimin e ligjshmërisë dhe transparencës në çdo proces akademik dhe administrativ.
- Anulimin e vendimeve të njëanshme dhe të jashtëligjshme.
- Verifikimin e të gjitha kontratave dhe angazhimeve të personelit të jashtëm.
- Vendosjen e mbikëqyrjes institucionale të rregullt financiare dhe ligjore mbi buxhetin dhe shpenzimet.
- Riaktivizimin e funksionimit demokratik të organeve akademike, me përfaqësim real të të gjithë trupës profesionale.
Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh brenda një afati të arsyeshëm, ne do të informojmë me përgjegjësi të plotë institucionet e drejtësisë dhe mbar opinionin si dhe ate ndërkombëtar për krizën që po konsumohet në heshtje brenda mureve të këtij institucioni.
KJO LETËR ËSHTË NJË THIRRJE NDËRGJEGJEJE, JO NJË SULM
Ne nuk duam përplasje. Ne kërkojmë përgjegjësi. Ne nuk po flasim nga egoja, por nga ndjenja e përgjegjësisë që kemi ndaj studentëve, ndaj prindërve që besojnë në këtë universitet, ndaj kolegëve që punojnë me ndershmëri, dhe ndaj shoqërisë që meriton një institucion të arsimit të lartë të pastër, profesional dhe të denjë për emrin që mban.
Në emër të së vërtetës, ligjit dhe të ardhmes akademike të këtij vendi, kërkojmë transparencë, drejtësi dhe veprim.
Me respekt dhe përgjegjësi të lartë profesionale,
Raim JASHARI
Shkup, qershor 2025