Ushtria e Shqipërisë, Vengu: Synojmë paga të nivelit të NATO-s brenda 4 viteve të ardhshme

nga D. V.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se në 4 vitet e ardhshme qeveria synon të rrisë pagën e Forcave të Armatosura në nivelin e mesatares së NATO-s.

I pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për konsultim publik, me përfaqësues nga shoqatat e ish-ushtarakëve, për Ligjin e statusit të ushtarakut, Vengu vlerësoi me shumë rëndësi gjithpërfshirjen e të gjithë aktorëve të këtij sektori, në procesin e ndryshimeve ligjore për statusin e ushtarakut, që siç tha ai, “ka në fokus forcimin e FA, modernizimin e tij dhe rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor”.

“Ne synojmë të krijojmë instrumente që i bëjnë të rinjtë të rrisin interesin për FA. Përmes ndryshimeve ligjore synojmë mbështetjen financiare për ushtarakët gjatë ushtrimit të detyrës, mbështetjen financiare dhe sociale për familjet e ushtarakëve dhe mbështetje për ushtarakët pas përfundimit të karrierës së tyre”, u shpreh ministri.

“Rritja e kapaciteteve, modernizimi i forcave, industria ushtarake të gjitha këto procese nuk mund të realizohen dhe konkretizohen me sukses nëse ne nuk investojmë te kapitali njerëzor si një shtyllë kryesore që e ka në fokus qeveria”, tha ai.

“Krahasuar me 10 vite më parë ne kemi pesëfishuar rekrutimet. Në Akademinë FA kemi 1100 aplikime për 100 të rekrutuar. Gjithashtu pagat janë rritur ndjeshëm. Kishim pagat më të ulëta në Rajon tani kemi pagat më të larta në Rajon dhe synimi është të rrisim pagat sipas standardeve të NATO-s”, theksoi Vengu.

Vengu tha se, përmes ndryshime ligjore duam të rrisim mbështetjen për ata ushtarakë në rezervë dhe në lirim.

Ministri tha se, “janë rritur me 164 % pagat e ushtarakëve aktivë, ndërsa u ndal tek rritja e mbështetjes së ushtarakëve edhe në drejtime të tjera”.

Në draftligjin për konsultim, parashikohet që përveç kredisë për strehim, ushtarakëve t’u jepet në përdorim edhe banesë në objektet e ndërtuara për qëllime strehimi nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, parashikohet që ushtaraku i dërguar për stërvitje, trajnim dhe kurse jashtë vendit, përveç trajtimit financiar, përfiton dietë ditore për mbulimin e shpenzimeve vetjake. Nga ana tjetër, fëmijëve të ushtarakëve të rënë në detyrë shteti u jep bursë të plotë nëse fitojnë të drejtën për studime të larta në institucione publike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More