Kina ka nisur stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit duke simuluar sulme ndaj objektivave detare dhe tokësore.
“Stërvitjet do të testojnë aftësitë e operacioneve të përbashkëta të Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze dhe do të shërbejnë si një paralajmërim i ashpër për aktet separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit”, tha zëdhënësi i komandës, Li Xi.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka “dënuar një sjellje të tillë irracionale dhe provokuese”, duke shtuar se kishte dërguar trupa për t’iu përgjigjur dhe mbrojtur Tajvanin.
Sipas një deklarate nga zyra presidenciale e Tajvanit, Lai Ching-te ka organizuar një takim të sigurisë kombëtare për të diskutuar përgjigjen e Tajvanit në këtë rast.
“SHBA është seriozisht e shqetësuar”, tha në një deklaratë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke shtuar se “provokimet e Kinës rrezikojnë përshkallëzimin”.
Megjithëse analistët e karakterizuan fjalimin e Lait javën e kaluar si relativisht të përmbajtur, ka pasur një pritshmëri në rritje që Kina do ta përdorte këtë si një katalizator për të nisur më shumë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, siç ka bërë gjatë momenteve të tjera të ndjeshme politike.
Në maj, pas inaugurimit të Lait, Kina nisi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë si “ndëshkim për aktet separatiste”, duke i quajtur stërvitjet “Shpata e përbashkët 2024-A”.
Kategorizimi “A” ngriti spektrin se do të kishte një vazhdim “B” disa herë këtë vit.
Komanda e Teatrit Lindor, pjesa e ushtrisë kineze që mbikëqyr një zonë duke përfshirë Tajvanin, tha se stërvitjet “Shpata e Përbashkët 2024B” përfshijnë një breshëri anijesh dhe aeroplanësh “në afërsi dhe nga drejtime të ndryshme” me Tajvanin.
Roja Bregdetare e Kinës njoftoi gjithashtu se dërgoi anije për të rrethuar ishullin kryesor të Tajvanit, hera e parë që Kina e bën këtë në një stërvitje ushtarake kundër Tajvanit.
Ndërkohë, Roja Bregdetare e Tajvanit deklaroi se ka ngritur një qendër reagimi dhe paralajmëroi se veprimet e Kinës kanë “ndikuar rëndë paqen në ngushticën e Tajvanit dhe stabilitetin rajonal”.
Ndryshe, Partia Komuniste Kineze e konsideron ishullin territor të saj dhe kërcënon rregullisht të marrë kontrollin me forcë nëse Taipei shpall pavarësinë formale.
Pak përpara stërvitjeve, Komanda e Teatrit Lindor të Kinës postoi një video të shkurtër dramatike në rrjete sociale, duke treguar aeroplanët e saj luftarakë, anijet luftarake dhe raketat lëshuese në veprim.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit publikoi gjithashtu videon e saj: “Ne e forcojmë vullnetin tonë dhe përgatitemi për konflikte që nuk i kërkojmë”, thuhej në video.