Tiranë, 7 prill – Pas bllokimit të hapësirës ajrore nga kontrolloret e AlbControl që kanë refuzuar të punojnë, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ushtria do të marrë në ruajtje godinën e AlbControl, pasi kontrolloret po qëndrojnë në një ndërtesë të sigurisë së lartë.
Ministrja e Infrastrukturës përmendi shifrat e pagave të kontrolloreve duke vënë theksin në faktin se trafiku ka rënë me 57% që nga viti 2019. Balluku iu përgjigj edhe pretendimeve të kontrolloreve që propozuan që të merret një kredi për pagesën e pagave të tyre.
Sipas Ministres së Infrastrukturës, me refuzimin për të punuar, një pjesë e kontrollorëve janë shndërruar në masha të politikës duke bllokuar edhe mbërritjen e vaksinave.
Përveç punonjësve, përgjegjëse për këtë situatë sipas Ballukut është edhe politika, e cila po bën çmos që të bllokojë vaksinimin dhe të sjellë kaos për qytetarët.
Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë bllokuar pa patur një afat të përcaktuar. Fluturimi i mëngjesit i linjës Athinë-Tiranë është kthyer mbrapsht në shtetin fqinj, ndërsa linja Stamboll-Tiranë ka mbërritur me 40 minuta vonesë.