Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka dhënë këtë të premte certifikatën e pronësisë vajzës së shkrimtarit të njohur Petro Marko, Arjanita Marko.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Himarë, ku u shpërndanë 437 certifikata pronësie, për shtëpitë e trashëguara, Rama mes të tjerëve i ka dhënë certifikatën e pronësisë dhe Arjanita Markos. Gjatë momentit që mori certifikatën, pas falënderimeve, Arjanita Marko, u shpreh se do ta kthejë në muze dhomën e Petro Markos.
“Jam shumë mirënjohëse që ju takoj dhe desha t’ju them që jam e lumtur që këtë e marr nga biri i dy prindërve të mrekullueshëm të tuajt, që prindërit e mi i donin i vlerësonin dhe i respektonin. Dua të them që babai im Petro Marko nuk do të mund të hyjë në shtëpinë e tij, por kujtimi i tij, shpirti i tij do të jetë gjithmonë aty. Unë do mundohem që me ndihmën e Aleks Markos, atë dhomë ta kthej në një muze që të jetë gjithmonë prezent“, u shpreh ajo.