Shkup, 13 dhjetor – Epidemia e “Covidit”, ose ndryshe e njohur si “Korona” rrezikoi popullsinë e mbarë botës, duke shkaktuar shifra tragjike me viktima në njerëz. Këto shifra do të ishin edhe më të mëdha, në rast se shkenca nuk e dëshmonte veten, duke e zbuluar vetëm për disa muaj vaksinën kundër virusit tinëzar, që përveç viktimave, në nivel global la edhe pasoja të mëdha tek shumë njerëz, që ishin infektuar prej tij.
Dhe deri sa vaksina kundër “Covidit” u zbulua për disa muaj dhe mundësoi që bota të rikthehet pak a shumë në situatën e para pandemisë, Maqedonia e Veriut tani e tri dekada pas pavarësimit, ende po vuan nga një virus poashtu i rrezikshëm, për të cilin assesi nuk po gjendet vaksinë, e as ilaç shërues, shkruan Zhurnal.
“Epidemia” e pashërueshme e korrupsionit
Bëhet fjalë për “virusin” e korrupsionit, të cilin ambasadorja amerikane në Shkup Angela Ageler sot e ka quajtur me të drejtë si një epidemi që ka kapluar vendin tonë.
Ageler përmendi se në Maqedoninë e Veriut ka një epidemi e korrupsionit, është i pranishëm në të gjitha poret e shoqërisë dhe ndjeshëm është rritur në dhjetë vitet e fundit. Përkujtoi se në 32 vitet e fundit sa dy vendet kanë marrëdhënie të ndërsjella, SHBA-ja ka ndarë gati 500 milionë dollarë për sundimin e së drejtës dhe qeverisjen e mirë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa siç tha, “po shohim një epidemi korrupsioni në vend”.
“Ka epidemi të korrupsionit në këtë shtet. Është në çdo sektor, në çdo organizatë dhe vetëm me emërimin e aktorëve të korruptuar ne mund të fillojmë t’i ndihmojmë këtij vend të përballet me të”, tha Ageler, në një pronocim dramatik të fundvitit.
E pranuam, apo nuk e pranuam, qytetarët e Maqedonisë së Veriut më shumë besim dhe shpresa për çrrënjosjen e korrupsionit kanë tek diplomatët perëndimorë, se sa tek politikanët vendorë, por deklaratën e ambasadores amerikane një pjesë e tyre e kanë pranuar si dykuptimëshe. Nëse kjo deklaratë ka kuptim se edhe ambasadorja Ageler ka humbur shpresat se Maqedoia e Veriut mund të “shërohet” nga epidemia e korrupsionit, atëherë “vaj halli për ne”, siç thotë populli.
E nëse ka qëllimin që të senzibilizojë dhe mobilizojë opinionin vendor për të luftuar këtë dukuri, gjithsesi kjo deklaratë duhet përshëndetur dhe përkrahur. Për fat të keq tek ne në masë të madhe ende është prezente përshtypja se “ilaçi” kundër korrupsionit do të bie nga qielli, pa dhënë kontributin tonë si qytetarë, media e shoqëri civile kundër kësaj dukurie.
Uashingtoni alarmon, karvani i korrupsionit rrugën e vet vazhdon!
Më shumë gjasë ka që të jetë e dyta, sepse ambasadorja Ageler sot ka qenë më konrekete, duke përmendur edhe emra, shkruan Zhurnal. Ajo ka theksuar theksuar se për vendosjen e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushevit në “listën e zezë” të SHBA-ve për shkak të korrupsionit, nuk bëhet fjalë për dyshim, por për dëshmi të forta se ai ka qenë i përfshirë në aktivitete korruptive edhe atë në disa raste, raportoi Dojçe Vele.
“Këto nuk janë dyshime. Ne e dimë saktë se çfarë ka bërë Angjushevi”, thotë Ageler.
Në konferencën e sotme për shtyp, Ageleri, lidhur me paralajmërimin e Angjushevit se do ta ankimojë vendimin, tha se këtë e ka bërë tashmë përmes avokatit të tij në SHBA, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë.
Ambasadorja amerikane e vlerësoi si pozitiv hapin e Qeverisë që të propozojë ligj me të cilin automatikisht do të hapet hetim në vend për çdo person që është në “listën e zezë” të SHBA-së, që deri më tani ishte praktikuar për listat e BE-së dhe KB-së.
Ambasadorja amerikane shtoi se “lista e zezë” e SHBA-së, në të cilën, vetëm në 8 muajt e fundit, janë gjetur emra më të njohur të politikanëve dhe biznesmenëve, është një përpjekje që tÇu ndihmohet autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të fillojnë të përballen me problemet.
Ajo që e habit më shumë ambasadoren amerikane, siç thotë, është fakti se pas çdo publikimi të emrit të ri të të ashtuquajturit “Lista e zezë”, “askush në Maqedoninë e Veriut nuk është i befasuar, as mes qytetarëve dhe as nga përfaqësuesve zyrtarë”.
Ajo tha edhe se në qershor të këtij viti, kur SHBA-ja e vendosi kryetarin e Komunës së Strugës Ramiz Merko në listën e zezë, deri më tani, asnjë organ apo institucion gjyqësor i Maqedonisë së Veriut nuk iu është drejtuar kolegëve të tyre në SHBA që të kërkojnë ndarje të dëshmive, me qëllim që të hapet procedurë edhe në vend për personat që janë në listë./Zhurnal