Vangjel Tavo bëri sot betimin si kryetar i bashkisë së Himarës, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 4 gushtit.
Ceremonia e marrjes së detyrës u zhvillua në një mbledhje të këshillit bashkiak të Himarës.
Pas betimit, Tavo garantoi se nuk do të jetë një qytetar i parë, por do të jetë një shërbëtor i parë i Himarës dhe do të punojë për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj bashkie.
“I privilegjuar të qëndroj para jush si kryetar i bashkisë së Himarës, i nderuar që do t’u shërbej banorëve në çdo njësi e fshat. Unë betohem se nuk do të jem qytetar i parë, por shërbëtor i parë i Himarës. Do të punoj në të mirë të banorëve për përmirësimin e jetës”, tha ai.
Tavo siguroi se bashkia nën drejtimin e tij do të jetë një qendër komunitare që kujdeset për nevojat e banorëve.
“Kjo bashki do të jetë e juaja. Zyra ime do të jetë e hapur për banorët e thjeshtë. Do të jenë të hapura dyert dhe për ide për secilin që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës”, u shpreh ai.
Tavo u zgjodh kryetari i ri i bashkisë Himarë gjatë zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën në këtë bashki në 4 gusht.
Vangjel Tavo i PS fitoi me 58,62 % të votave, ndërsa rivali politik i tij, Petro Gjikuria i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori 41,38 % të votave.