VAR-i poli(e)tik: Hapja e arkivave të UÇK-së dhe arkivimi i opozitës

Nga Nazmi Elezi

 

“Kur vijnë të këqijat të gjitha bashkë, hapu derën”, është një shprehje nga thesari i ynë i fjalëve popullore, përmes së cilës mund të përshkruhet situata aktuale te ne.

Viktima gjithandej. Edhe një javë duke numëruar dhjetëra viktima në ditë nga koronavirusi … Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo. Në ditën kur sërish kishim mbi 20 viktima nga virusi, ndodhën edhe raste të tjera tragjike me shumë viktima. Dy fëmijë u dogjën në një shtëpi në një fshat të Gjakovës. Dy viktima në një përleshje të armatosur, mes politikanëve të njëjtit subjekt politik në Pejë.

Kulmi i një dite tragjike u arrit me tragjedinë e madhe në Spitalin e Tetovës, ku flakët e zjarrit ua morën jetën 14 pacientëve që po kërkonin shërim e shpëtim nga koronavirusi.

Të gjitha këto ndodhën një ditë pasi në Prishtinë erdhi kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila njoftoi se Specialja do të jetë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë se të gjitha procedurat hetimore apo para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar.

Trendafilova nuk u prit me dashamirësi nga një subjekti politik. Në ambientet ku ajo po mbante konferencë shtypi u vërshëllye me filikaqa aktivistët e PSD-së. Ndërsa jashtë hotelit, ku po mbahej konferenca për shtyp, po zhvillohej drama e shtrirjes përtokë të aktivistëve dhe përgjakjes së kreut të PSD-së nga policia, të cilët po kundërshtonin ardhjen e Trendafiloves, edhe me parullën “non grata”.

Por, në ditën kur kryetarja e Speciales në Prishtinë po fliste për mandatin e këtij organi të drejtësisë së Kosovës, por jashtë Kosovës, nuk u pa ta kundërshtonin e as të protestonin për ardhjen e saj, ata që deri dje ishin më të zëshmit e zhurmshmit kundër Speciales.

Nuk u panë duke protestuar as ish bashkëluftëtarët e komandantëve të UÇK-së, që po mbahen të arrestuar në Hagë, e as bashkëpartiakët e ish-presidentit Thaçi e ish-krerëve të Parlamentit, Krasniqi e Veseli.

Nuk doli ta kundërshtonte ardhjen e Trendafiloves as kreu në detyrë i OVL-të UÇK-së, Faton Klinaku, më i zëshmi dhe më agresivi në deklarata kundër Speciales, e cila po i mban të arrestuar krerët e OVL.

Një profesori i Filozofisë me një fjali i tha të gjitha: “E pritëm edhe kët’ ditë: Dardan Molliqaj me protestu për Hashim Thaçin, ndërsa aktivistët e PDK-së e marrin vesh lajmin nga portalet”.

Jo vetëm PDK-ja, por edhe LDK-ja, AAK-ja dhe parti të tjera, nga portalet e televizionet po informohen edhe për opozitarizmin e vetëm të mirëfilltë të PSD-së së Molliqajt, ish bashkëpartiakëve të Albin Kurtit.

Mbase, Molliqaj me shokë ka mbetur i vetmi pa hipotekë nga e kaluara e keq qeverisjes, që ende ka kurajë dhe fytyrë t’i kundërshtojë veprimet dhe mos veprimet e Qeverisë Kurti.

Krejt kjo çfarë bën opozita parlamentare më shumë është si një improvizim për të luajtur kinse rolin e opozitës. Çfarë është opozita është edhe pushteti. Opozita po e akuzon pushtetin për arrogancën e numrave. Pushtet abuzues e arrogant Kosova kishte me ose pa numra.

Në tërë këtë mozaik të këqijash vjen edhe një tjetër e keqe.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, pas një takimi në Bruksel me shefin e delegacionit të Serbisë, tha se me palën serbe u pajtua që Serbia të ketë qasje në arkivat shtetërore për UÇK-në në Kosovë.

Kjo deklaratë e Bislimit nxiti reagime dhe kundërshtime të mëdha në skenën politike, te organizatat e dala nga lufta, por edhe persona nga jeta publike.

Kjo kërkesë e Serbisë vjen si një përpjekje për të justifikuar krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, andaj edhe përgjigjja e Bislimit duhej të ishte konform me krimet serbe.

Serbia mban të mbyllura arkivat e krimeve dhe gjenocidit të kryer mbi shqiptarët në Kosovë, siç vazhdon t’i mbajë të pazbuluara varrezat masive me 1,630 trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës.

Arkivat e luftës së UÇK-së në Kosovë janë të hapura që nga viti 1998. E ato janë në vend betejat e UÇK-së anekënd Kosovës – nga beteja e komandantit legjendar Adem Jashari e 5,6, 7 marsit 1998 në Prekaz dhe shumë betejave të lavdishme – deri te Beteja e Koshares.

Në Kosovë janë të shumta edhe “arkivat” – varrezat e komplekset memoriale, si dëshmi e krimeve, masakrave dhe vrasjeve masive nga forcat serbe gjithandej – me mbi 13,500 civilë shqiptarë të vrarë.

Praj, Kosova e tëra është një muze arkiv, dëshmi e një lufte të egër dhe shfarosëse të Serbisë ndaj një populli të tërë.

Të këqijat mund të vijnë bashkë, por duhet ndalur e parandaluar një nga një.

Nejse. Nuk ishte krejt zi e keq këtë javë.

Presidentja Osmani për të hënën ka ftuar në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paskësh rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

IKSHPK në këtë rast veç ka rekomanduar atë që e paralajmëroi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë kësaj jave.

Ky paralajmërimi hasi në reagime e kundërshtime nga opozita, por edhe shoqëria civile. Çuditërisht ndaj këtij paralajmërimi i pari reagoi kreu i LDK-së, duke thënë se “askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet”. Dhe reagimi i tij “i ashpër” sikur ishte sinjali më i mirë se shtyrja do të ndodhë. Lumiri mbase e dinte këtë para se ta thoshte Glauku!

E dimë edhe se Presidentja ka ftuar përfaqësuesit e opozitës jo për t’u konsultuar, por për t’ua bërë me dije se zgjedhjet do të mbahen kur thotë “IKSHPK”, respektivisht shefi i saj, pronar i ‘tapisë” së pushtetit nga 52 përqindëshi.

Deri të hënën, por edhe pas të hënës, do të ketë reagime e përplot kundërshtime të opozitës, së arkivuar për shtyrje të zgjedhjeve. Por, vendimi nuk ndryshon vendimi i “arrogancës së numrave”.

Njerëzit do të vazhdojnë të vdesin nga koronavirusi edhe pas të hënës, por duhet pranuar se Qeveria Kurti, më shumë se asnjë qeveri tjetër e pasluftës, me vendimin për mbështetje financiare për lehonat dhe shtesat për fëmijë, do të stimulojë shtimin e popullsisë në vend.

Për fund, pak kampanjë sensibilizuese në emër të Qeverisë: Prindër, mos hezitoni, bëhuni përfitues të shtesave! Mirëpo, para se të aplikoni, duhet të bëni fëmijë!

Related posts

Në pandemi, parashikimet janë të paparashikueshme

D V

Diaspora shqiptare gjendet në kulmin e lavdisë, krenarisë dhe atdhedashurisë

D V

Fundi i nacionalizmit apo fundi i kleptokracisë?!

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com