Shkup, 25 mars – Për varfërinë ekstreme flet gjithkush e shpesh herë por rrallë herë e të paktë janë ato që marrin iniciativën të vizitojnë familjet në nevojë. Duke përjashtuar këtu OJQ-të që funksionojnë në kuadër të organizatave humanitare. Përndryshe, vizitat e politikanëve në kohë fushate e sidomos ato të forumeve rinore me pako në duar nëpër familje përpos që nuk ngjajnë asgjë me ndihmën janë përdhosje e dinjitetit të familjeve në nevojë. Ata nuk shkojnë të ndihmojnë por shkojnë të kërkojnë ndihmë për të pasur pushtet. Por, të paktën në këtë periudhë parazgjedhore qofshin edhe këto vizitat për interes për të kërkuar votë me një pako në dorë të reflektojë në sensin njerëzor që sinqerisht të ndihmojnë familjet në nevojë, shkruan Zhurnal.
Varfëria ka kapluar shumëkënd, por të paktë njerëzit që interesohen për këtë kategori të qytetarëve –
Përderisa varfëria ka trokitur në derën e secilit prej nesh, te ndokush i ka thyer derën. Bie fjala për ata familje që veçmë kanë që thelluar në varfëri kriza ekonomike ka shtrirë për tokë dhe i ka dorëzuar në luftën për mbijetesë.
Tashmë një dekadë, 52 vjeçari Bejtulla Bejtullah nga fshati Orllancë i Komunës së Haraçinës ka këtë karrocë si shoqërues ta pandarë në jetën e tij. Dy këmbët e tij të amputuara dhe problemet e vazhdueshme shëndetësore me diabetin kanë lënë përgjysmë ëndrrën për të ndërtuar një jetë më të mirë për këtë familje. Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë kryefamiljar është të mbijetuarit me vetëm 11 mijë denarë në muaj, shumë e cila grumbullohet nga dy ndihmat e invaliditetit që ka.
“Tash, unë marrë vetëm ndihmë për kujdes, ato janë 11 mijë denarë. Ato i kam të ardhura të vetme, nuk kam të ardhura tjera. Mirëpo, sërish faleminderit njerëzve bamirës, miqve që më ndihmojnë nga pak dhe mundem me ja dal deri në fund, por prap s’ia dal. Ato e din se me 11 mijë denarë për me jetu normal një familje me tre ose katër anëtarë nuk mundet me jetu më shumë se një javë edhe atë thjesht jo diçka luks, a unë duhet me kalu një muaj me 11 denarë. Është e pamundur, veç me hangër se për tjetër gjë nuk dalin, edhe me hangër diçka shumë thjeshtë sa me mund me kalu, po ku janë ilaçet”, tha Bejtulla Bejtullah, banor i fshatit Orllancë, për Alsat.
Bejtullah ka kaluar 17 operacione, por dhimbjet nuk iu ndalën asnjëherë. Pas një muaji ai duhet të vendos nëse do të kryej edhe operacionin e 18. Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, ai ka edhe një listë të gjatë të ilaçeve të cilat përbëjnë terapinë e rregullt të tij.
“Këtu diku e kam listën e terapiave, 8.500 den në muaj marr terapi, plus asaj për dhimbje që i marr se ato dhimbjet nuk mi ndalin, i marr disa pika në shishe të vogël edhe ato vetëm prej në Zvicër që njëri mi sjell. Nji shishe e vogël 80 euro mi merr ndërsa mua më duhen dy shishe që ta kaloj muajin se pa ato dhimbjet nuk më ndalen”, shtoi Bejtulla Bejtullah, banor i fshatit Orllancë, për Alsat.
Bejtullah ka edhe një sërë kritikash për shëndetësinë në vend për shkak se është detyruar të paguaj analiza të caktuara pavarësisht diagnozës që ka. Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 71 747 513 Bejtulla Bejtullah, fshati Orllancë, Komuna e Haraçinës.
Për të ulur varfërinë duhet që ndihma sociale të jetë e barabartë me pagën minimale –
Ndihma sociale duhet të rritet me rritjen e inflacionit. Kur kostoja e jetesës rritet muaj pas muaji, më të cenuarve nuk mund t’u jepet një lëmoshë. Për t’i nxjerrë këta njerëz nga varfëria, duhet t’u jepet të paktën paga minimale. Ky është mesazhi kryesor nga analiza e efekteve të reformës sociale të vitit 2019. Tregon se ndryshimi i qasjes dhe mënyrës së pagesës dha efektet e dëshiruara, ndonëse për shkak të krizës Covid dhe inflacionit, numri i të varfërve nuk u ul në mënyrë drastike.
“Tarifat sociale rriten shumë më pak se paga minimale ose pensionet. Meqenëse inflacioni erdhi shumë shpejt dhe mirëqenia nuk ishte e lidhur me një tregues real, ne sugjerojmë që ajo të lidhet me inflacionin. Dhe mire qe është e koncentruar, jo si dikur, jepi 500 denarë për këtë, pastaj 700 për këtë. Jepini atij ndihmë të garantuar, jo një lugë” tha Vanço Uzunov, profesor universiteti.
Reforma trefishoi numrin e njerëzve që marrin ndihmë sociale, por numri i të varfërve ra me 1 deri në 2 për qind. Prandaj sugjerohet që në vend të masave populiste – siç është ndihma për fëmijën e tretë, paratë të caktohen për fëmijët e familjeve të pafavorizuara.
“Nëse nuk keni para për të paktën një vakt të nxehtë në ditë, kjo do të thotë se ndihmat duhet të rriten”, thotë Paul Sutts, autor i Analizës.
Autorët e analizës sugjerojnë se asistenca sociale nuk duhet të ndërpritet nëse përfituesit fillojnë të punojnë. Aktualisht, shumica e njerëzve për të mos humbur ndihmën prej 6,7 mijë denarë në muaj, punojnë ilegalisht. Në këtë mënyrë, përveç stimulimit të ekonomisë gri, autoritetet nuk kanë një numër të saktë nëse dhe kur këta persona do të dalin nga pragu i varfërisë.
Zbutja e nivelit të papunësisë dhe varfërisë duhet të jetë prioritet, sepse papunësia prodhon kriza të tjera që pastaj janë edhe më vështirë për tu menaxhuar e kontrolluar, sikurse ajo e eksodit të të rinjve. Me këtë avaz nuk po largohen vetëm të rinjtë por edhe mosha mesatare e qytetarëve që janë të larguar nga puna ose janë të pakënaqur me punën që e bëjnë sepse pagat që marrin janë të pamjaftueshme në përballje me krizën e thellë ekonomike, e që është më shumë se kaq e shumëfish. /Zhurnal.mk