Bruksel, 6 tetor – Euro-komisari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhei në pres-konferencën e sotme iu bëri thirrje zyrtarëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të angazhohen për dialog të drejtëpërderjtë me Bullgarinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, pasi që kjo është në dobi të të dyjave vendeve.
“Punojmë në mënyrë serioze me Qeverinë e Bullgarisë dhe Maqedonisë, prita Ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmanin dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov javën e kaluar dhe i inkurajova që të vazhdojnë të angazhohen në përmirësimin e raporteve me fqinjët sepse bëhet fjalë për interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje që është e pranueshme nga të dy palët”, deklaroi Oliver Varhei.
Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhei, u drejtua para eurodeputetëve këtë pasdite pasi u publikuan raportet për progresin e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Eurokomisari i BE-së theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të qëndrueshëm në fushën e reformave, në veçanti sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Diskutimet janë duke vazhduar në Këshill mbi propozimin e kornizës së negociatave dhe shpresoj që konferencat ndërqeveritare do të mbahen nën presidencën aktuale, nëse miratohen,” tha Varhei.
Komisioni Evropian i dorëzoi propozim kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vendeve anëtare në fillim të verës. Shtetet anëtare duhet, sipas kalendarit të presidencës gjermane, t’i miratojnë ato në nëntor, me ndryshime të mundshme.
Problemi kryesor për Maqedoninë e Veriut janë kërkesat e Bullgarisë, e cila kërkon të shtojë elemente në lidhje me kontestet dypalëshe midis Shkupit dhe Sofjes.
Shqipëria, nga ana e saj, ka një numër kushtesh shtesë që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Eurokomisari i BE-së Varhei tha se Tirana kishte bërë përparim të rëndësishëm në reformat për në BE në muajt e fundit. Ai beson se ndarja e Shkupit dhe Tiranës do të ishte një gabim.
Varhei nesër do të udhëtojë në rajon, vizitën do ta fillojë në Maqedoninë e Veriut.