Agjencia Zhurnal.mk

Vasili: Minishengeni, model i deformuar nga dy njerëz të gabuar

Tiranë, 2 janar – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili është shprehur se “minishengenin” është një model i deformuar nga dy njerëz të gabuar.

Vasili shkruan se Minishengeni është thjesht instrumenti anti euroatlantizëm dhe anti Kosovë, ndërsa dy njerëzit e gabuar janë dy marioneta të etura për pushtet, të cilat telekomandohen nga larg.

Sipas tij, thika pas shpine ndaj Kosovës është për kryeministrin Edi Rama një tradhti, që nuk do t’i ndahet dhe nuk mund të shlyhet kurrë.

 “Minishengeni” model i deformuar dhe dy njerëz të gabuar!

Minishengeni për të cilin po flitet kaq shumë, që në ngjizje të tij lindi si model i deformuar qoftë për nga bazamenti politik i tij, por ashtu edhe nga ai historik, shoqëror e moral.

Është pa asnjë dyshim kryekëput një model i deformuar sepse përdor një analogji propagandistike dhe për të krijuar thjesht efekt mediatik me Marrëveshjen e Shengenit dhe ku as në formë as në përmbajtje, as në parimet dhe as ë realitetet, që i shoqërojnë Minishengeni lidhet me Shengenin aq sa errësira me ditën sepse s’kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin.

Nismat rajonale do të ishin një lajm i mirë ne se ato do të zgjidhnin konfliktet e mosmarrëveshjet, por Minishengeni, si model i deformuar, i lindur mbi logjikën e përjashtimit dhe jo të gjithëpërfshirjes është thjesht një model i deformuar, që abortoi ende pa nisur.

Përjashtimi i Kosovës që në zanafillën e tij në Novi Sad dhe pjesëmarrja gjysmake e pjesëmarrësve në tavolinë rrëzonin përtokë parimin e gjithëpërfshirjes që duhej të ishte zemra e procesit.

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia rrëzonte edhe një element tjetër thelbësor, që është barazia e shteteve që ulen në tavolinë.

Pra barazia u zëvendësua nga diskriminimi dhe përjashtimi në të ashtuquajturin Minishengen Vuçiç Rama.

Deklarimet provokative të Vuçiç për masakrën e Reçakut rrëzuan bazën morale dhe historike të Minishengenit, që në vend të instalimit të reflektimit historik për krimet e së shkuarës, përkundrazi rihapi plagët e vjetra të së shkuarës dhe tregoi se armiqësia e Serbisë ndaj Kosovës mbetet e egër dhe e pandryshuar.

Është shumë e qartë se sipas radhës dhe peshës së tyre, ideatorë të këtij Minishengeni si model i deformuar demagogjik dhe të dëmshëm, janë dy njerëz të gabuar dhe pikërisht Vuçiç dhe Rama.

Janë dy njerëz të gabuar sepse çdo marrëveshje, cila do qoftë ajo së pari është sprove për të realizuar gjithëpërfshirjen dhe së dyti komunikimin luajal mes pjesëmarrësve, ndërkohë që as njeri as tjetri nga dy njerëzit nuk udhëhiqen nga këto parime, por nga e kundërta e tyre.

Këta dy njerëzit e gabuar janë përpjekur me ç’kanë mundur që duke drekuar a pirë kafe me ndonjë zyrtaruc në Europë e SHBA t’i shesin këto, sikur gjoja kjo sajesë e deformuar e Minishengenit ka edhe mbështetjen e tyre pra të SHBA dhe BE.

Por qëndrimi i të dërguarit special të Presidentit Trump ambasadori Grenell ishte shterues kur tha se:

“Ne besojmë se, që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”.

Dy njerëzit e gabuar po bëjnë gjithçka pikërisht në të kundërt të atyre rreziqeve madhore që SHBA ka paralajmëruar me shumë shqetësim në Raportin “Vlerësimi i Kërcënimeve Botërore” përgatitur nga Komuniteti i Inteligjencës së SHBA, dorëzuar në Senatin Amerikan në shkurt 2019 ku konfirmohet prerë se:

“Ballkani Perëndimor pothuajse me siguri do mbetet në një rrezik të dhunës të nivelit të ulët dhe ndoshta konflikt të hapur ushtarak përgjatë vitit 2019. Rusia do të kërkojë të shfrytëzojë tensionet etnike dhe nivelet e larta të korrupsionit për të penguar aftësinë e vendeve të këtij rajoni për të lëvizur drejt BE dhe NATO.”

Në një moment politiko historik kyç për Ballkanin, kur integrimi europian është objektivi i vetëm themelor për të gjitha shtetet e tij, objektiv ky i mbështetur shumë fort edhe nga SHBA, vendosja paralele e një mostre si Minishengeni është qartësisht minimi i integrimit dhe krijimi i alibive për të devijuar në të kundërt aksin euroatlantik të Ballkanit.

Të dy njerëzit e gabuar Vuçiç dhe Rama janë thjesht përfaqësues të konfliktualitetit ekstrem brenda vendeve të tyre me opozitat përkatëse, janë në konflikt të hapur me raportin e shkatërruar me shtetin ligjor dhe liritë bazike të qytetarëve në Serbi e Shqipëri, janë të pushtuar nga korrupsioni dhe kapja e qeverisjeve dhe dorëzimi përpara tij.

Vuçiç ka edhe një kryeproblem, që është njohja e Kosovës për të cilin ai është vendosur diametralisht kundër orientimit të SHBA dhe BE për zgjidhjen e tij dhe është qartësisht i udhëhequr nga politika e logjika e vjetër kokëforte dhe këmbëngulëse e mosnjohjes, e anashkalimit dhe shuarjes së një çështje të tillë.

Qëllimi i vetëm i Vuçiç është për të defaktorizuar, izoluar dhe mundësisht për ta shpërbërë Kosovën dhe për të qetësuar tensionet e forta të brendshme politike dhe shoviniste dhe për të siguruar në këtë mënyrë zgjatjen e qëndrimit të tij në pushtet.

Po këtij qëndrimi anti Kosovë i është bashkëngjitur pa kushte Rama, i cili ndodhet përballë një situate shpërthyese në Shqipëri.

Edhe Rama po zvarritet për të shtyrë ditët dhe orët e pushtetit, i vetëm dhe i urryer nga të gjithë, peng i korrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisjes nga krimi i organizuar dhe trafikantet e drogës.

Për Ramën në një situatë të tillë të dëshpëruar edhe tradhtia ndaj Kosovës është për të tërësisht e pranueshme boll që ashtu si autokrati tjetër në Serbi të mund të shtyje sa të mund ditë dhe orë në pushtet.

Këta dy njerëz të gabuar duke përdorur një model të deformuar si Minishengeni tentojnë ta përdorin atë për t’i bërë makijazh imazhit të tyre të rrënuar, thellojnë konfliktualitetin ekstrem dhe luftënxitës si dhe godasin me thikë pas shpine Kosovën.



Thika pas shpine ndaj Kosovës është për Ramën është një tradhti, që nuk do t’i ndahet dhe nuk mund të shlyhet kurrë, ky është tashmë një fakt e një realitet pa kthim, për të cilin nuk ka asnjë alibi dhe zero mundësi shfajësimi.

Minishengeni është thjesht instrumenti anti euroatlantizëm dhe anti Kosovë, ndërsa dy njerëzit e gabuar janë dy marioneta të etura për pushtet, të cilat telekomandohen nga larg…!!

Minishengeni si një model thelbësisht i deformuar do të ketë fatin e pashmangshëm të dy njerëzve të gabuar, që pati për kumbarë të tij.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...