Shkup, 11 qershor – Vala e nxehtë që kaploi vendin dukshëm vështirëson realizimin e procesit edukativo-arsimor. Prindërit dhe mësuesit apelojnë përmes rrjeteve sociale që viti shkollor të përfundojë menjëherë, pasi besojnë se nuk ka kushte për mbajtjen e mësimit, për shkak të temperaturave të larta. Shkollat nuk posedojnë hapësira të klimatizuara, andaj i bëjnë ftesë MASh-it të rishqyrtojë vendimin për vazhdimin e mësimit, sepse siç thonë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, disa prindër janë detyruar t’i marrin fëmijët e tyre nga procesi mësimor.
“Konsideroj se vendimi për vazhdimin e vitit shkollor është sjell shumë shpejt dhe është i gabuar, sepse temperaturat janë shumë të larta dhe kjo vështirëson procesin mësimor, është ulur koncentrimi i nxënësve, sepse ne nuk posedojmë hapësira të klimatizuara. Kemi edhe raste të tilla që ndonjë nxënësi t’i përkeqësohet gjendja shëndetësore nga i nxehti dhe menjëherë ftohet prindi, gjithsesi ne si mësimdhënës i ofrojmë ndihmë.”, – deklaroi drejtoresha në Sh.F. “Klimenti i Ohrit”, Elena Simonovska.
Ndaj këtij vendimi reagojnë edhe nga Shoqata Qytetare “Ndrysho”, nga ku thonë se ky vendim është kopjuar nga vendet skandinave ku temperaturat janë dukshëm më të ulëta, andaj këto vende nuk mund të merren si pikë referimi për krahasim.
“Në Holandë për momentin temperatura shënon 22 gradë dhe nxënësit mund të mësojnë deri në fund të qershorit, por tek ne temperatura shënon 38 gradë dhe kemi rekomandime nga mjekët të mos dilet jashtë nëse nuk ka nevojë urgjente. Kërkojmë të shfuqizohet ky vendim, sepse ne nuk kemi kushte në shkolla që nxënësit të vijojnë procesin mësimor. Kemi nxënës që janë të sëmurë kronik, kemi nxënës që vjellin, sepse ne nuk kemi kushte për realizim të mësimit as deri më 10 qershor.”, – u shpreh Marina Tomova nga Shoqata Qytetare “Ndrysho”.
Viti shkollor përfundoi për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa nxënësit e shkollave fillore, sipas vendimit vjetor për organizimin e mësimit, kanë edhe një javë pune deri në pushimet verore.