Vazhdon ikja e mjekëve, ky trend do të krijojë krizë kaotike në shëndetësi!

nga I.A

Shkup, 6 nëntor – Ikja nga Maqedonia e Veriut nuk po njeh moshë e profesion, të rijnë e të moshuar, me ose pa profesione po zgjedhin rrugën e njëjtë atë drejtë Gjermanisë. Së fundmi që është shqetësuese janë shifrat e larta të mjekëve që po e lëshojnë vendin. Në pesë vitet e fundit, 939 mjekë janë larguar nga vendi, sipas të dhënave nga licencat e lëshuara për të punuar jashtë shtetit. Por kush do të kujdesit për shëndetin e qytetarëve që kanë mbetur në këtë vend. Në disa komuna të vendit si Dojran dhe Çashkë nuk ka fare mjekë amë. Pasojat e kësaj ikjeje kuptohen nëse kthehemi vetëm dy vite në kujtesë kur e gjithë bota u përballë me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia, në Maqedoninë e Veriut përpos që mungonin kapacitetet spitalore ku të hospitalizohen pacientët, mungonte edhe një numër shumë i madh i stafit mjekësor. E kjo nuk ishte mungesë e rastësishme por si pasojë e ikjes graduale e në heshtje, shkruan Zhurnal.

Mungesë shqetësuese e mjekëve në spitalet shtetërore –

Derisa reparte të tëra në spitalet e vendin mbyllen në mungesë të mjekëve, qytetarët detyrohen të udhëtojnë nga një vend në tjetrin për kontrolle. Një nga zgjidhjet për këtë situatë shihet në rajonalizimin e spitaleve apo bashkimin e tyre.

“E gjithë kjo pjesë e Maqedonisë, duke filluar me Qendrën e kardiologjisë në Ohër, spitalin e Ohrit, spitalin ortopedik, Shën Shtefani, Instituti i nefrologjisë dhe ne si spital i përgjithshëm konsiderohemi si klinika e pestë në Maqedoni, e kombinuar në një. Varësisht se cili repart funksionon më shumë dhe më mirë, për shembull në kirurgjinë tonë, do të ishte qendër kirurgjikale. Do të ishte mirë të thjeshtoheshin procedurat dhe të kurseheshin para”, tha Vlladimir Bunçeski, drejtor i Spitalit të përgjithshëm të Ohrit për Alsat.

Spitali klinik i Manastirit ka mbetur pa repart infektiv. Reparti i fëmijëve në Ohër funksionon vetëm si ambulancë e zakonshme, sepse ka mbetur pa mjekë pediatër, kështu që pacientët shkojnë në Strugë ku, nga ana tjetër, nuk ka repart neurologjik. Pacientët dërgohen në Ohër.

“Kirurgjia zhvillohet më shumë në Strugë ndërsa degët interniste zhvillohen më mirë në Ohër. Disi do të duhet të kombinohen, duke pasur parasysh se Ohri dhe Struga janë shumë afër. Edhe Tetova dhe Gostivari dhe qytetet e tjera që janë afër, do të duhet të gjejmë zgjidhje, në afat të mesëm dhe afatgjatë, sepse do të kemi gjithnjë e më pak personel në të ardhmen dhe nuk do të mund të vazhdojmë t’i kemi të gjitha specializimet në çdo spital”, theksoi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë për Alsat.

Në Strugë nuk ka mjek dermatolog. Mungojnë radiologët kurse kanë mbetur vetëm dy mikrobiologë. Janë tre mjekë internistë. Nuk ka epidemiolog, as mjekë në mjekësinë e punës dhe sociale. Ngjashëm është edhe në spitalin e Ohrit.

Çfarë është bërë për të ndalë ikjen e mjekëve?

Si duket në vendin tonë çdoherë ka diagnostikim të problemeve dhe dukurive të dëmshme, por që rrallë herë apo asnjëherë nuk merren masa parandaluese ose të paktën kurim i i problemeve shqetësuese. Në rastin në fjalë për të ndalë ikjen e mjekëve nuk është marrë as edhe një masë e vetme konkrete për të parë si përpjekje që ndalon këtë ikje që është shumë e dëmshme për vendin.

Institucioni përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë, shpesh e ngrit si çështje problematike dhe shqetësuese por asnjëherë nuk ofron një program apo strategji afatgjate që do të ndalte këtë ikje, pse jo të jetë një strategji e mirë hartuar që edhe ata që kanë ikur të kthehen. Por, është krijuar shprehi e zakonshme që në vend të veprimit përfundon gjithçka vetëm me diskutim verbal ose në letër e asgjë në vepër.

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me institucionet tjera duhet tu mundësojë mjekëve të rijnë specializimin e tyre në fushat përkatëse me shumë të ulëta por edhe atyre mjekëve që nuk kanë libreza partiake. Në këtë formë të plotësohet edhe deficiti i specialistëve në fusha më specifike si, anesteziologët, infektologët, urologët, e të tjera. Pagat që marrin mjekët në këtë vend janë fyese deh nënvlerësuese të mundit të tyre përgjatë studimeve dhe duke zgjedhë profesionin i cili në vete ngërthen edhe mision human.

Stimulimi dhe motivimi i studentëve të studiojnë mjekësi dhe të vazhdojnë specializimin e tyre duke ju garantuar punë që vlerësohet financiarisht dhe moralisht, pasi pothuajse nuk kalon një muaj pa u rrahë ndonjë mjek brenda vendit në ndonjë spital. Siguria fizike, stabiliteti ekonomik, përkrahja shtetërore për specializim janë masat kryesore që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse për të ndalë ikjen e mjekëve. Pra, duhet me urgjencë të rrisin pagat e punonjësve shëndetësor më e rëndësishme se rritja e pagave për punonjësit shëndetësor është edhe rritja e buxhetit në përgjithësi për shëndetësinë dhe krijimi i kushteve nëpër spitalet publike.

Pasojat e ikjes së mjekëve?

Ikja e të gjithë qytetarëve pavarësisht profesionit apo moshës së tyre prodhon pasoja të pashlyeshme në vendin tonë, posaçërisht për qytetarët që veçmë kanë nda mendjen për të qëndruar në vend. Por, kur flasim për një ikje të tillë që është kaq e madhe e profesionistëve shëndetësor kjo ndikon në kualitetin e shërbimeve të institucioneve shëndetësore sidomos publike. Mungesa e mjekëve dhe specialisteve në fushat përkatëse krijon kaos në sistemin shëndetësor, sepse qytetarët sidomos të moshuarit përballen me probleme shëndetësore që kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme.

Pasojat e ikjes së mjekëve më së mirë u kuptuar gjatë krizës pandemike, ku i gjithë vendi hyri në një krizë dhe u zu në befasi pa pas kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar me situatën e krijuar. Qytetarët në hallë kërkonin ndihmë spitalet në hallë kërkonin mjekë e infektologë, e kjo mungesë mbase nuk ishte e rastësishme por si pasojë e ikjes graduale të mjekëve që po e bëjnë në heshtje sepse e dinë që edhe po krijuan zhurmë nuk dëgjohen sërish. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More