Vazhdon kaosi në Qendrën Klinike në Shkup!

nga Redaksia

Shkup, 7 shkurt– Qendra Klinike në Shkup krahas problemeve të shumta që përballet përbrenda në aspektin e funksionimit dhe menaxhimit të situatës me numrin e stërngarkuar të pacientëve, nga jashtë vetëm sa shkon e vështirësohet edhe më shumë kaosi në parkingun e klinkës. Ministrat ndërrohen problemet mbesin të njëjtat, dhe zgjidhje nuk gjinden dot pacientët alternativë tjetër nuk kanë, sepse pikërisht nga politikat e papërgjegjshme janë bërë më shumë se një dekadë prej kur është paralajmëruar ndërtimi i një klinike të re por ende vazhdon të mbetet vetëm premtim elektoral. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, gjatë prezantimit të prioriteve të tij kishte vendosur primaren rregullimin e këtij kaosi në parkingun e Qendrës Klinike. E një vit më vonë prej kur është në krye të Shëndetësisë tha  se informata për ndërtimin e garazheve me kate ka kaluar në Qeveri, por tani pritet nënshkrimi që më pas të vijojë procesi i tenderimit. Megjithatë, vazhdon ende të mbetet nevojë jetike ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, me këtë do të ishin zgjidhur shumë probleme duke përfshirë edhe këtë të kaosit në parking, si dhe qytetarët do të kishin edhe një vend tjetër për trajtim, shkruan Zhurnal.

Kaos në parkingun e Qendrës Klinike në Shkup –

Radhë të gjata veturash të cilat nuk lëvizin për gati një orë, qytetarë të nervozuar e bërtitma. Kjo është pamja e cila vërehet me të hyrë në Qendrën Klinike në Shkup. Pacientë me sëmundje të ndryshme nga e gjithë Maqedonia e Veriut malltretohen madje me orë të tëra për të gjetur një vendparkim brenda Qendrës Klinike. Për shkak të kaosit shpesh ata humbin dhe terminët të cilat i presin me muaj me radhë, ndërsa për këtë askush nuk bart përgjegjësi. Të revoltuar, pacientët kërkojnë që ky problem të zgjidhet si dhe parkimi brenda Qendrës Klinike të mos paguhet, pasi sipas tyre shërbimi është shumë i dobët.

Qytetarët ankohen se për shkak të mungesës së vendparkimeve, humbasin terminët ose nuk mund t’u qëndrojnë afër familjarëve të tyre që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Ata thonë se vetëm paguajnë kot, por nuk mund të gjejnë vend për të parkuar.

“Katastrofë është, ja vajzën e kam në operacion, veturën nuk mund ta lë. Domethënë paguajmë dhe nuk mund të parkohemi. Dyzet denarë paguajmë. Është katastrofë, vajzën e kam lart në operacion, ndërsa unë këtu nuk mund të parkohem, duhet patjetër të merren masa. Tani me siguri do të më bëhet mbi 200 – 300 denarë, a unë rri afër veturës”, tha një qytetar për Alsat.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, tha se informata për ndërtimin e garazheve me kate ka kaluar në Qeveri, por tani pritet nënshkrimi që më pas të vijojë procesi i tenderimit.

“Informata në Qeveri ka kaluar, ka mbet vetëm të nënshkruhet, është nënshkrimi i fundit në Qeveri dhe më pas menjëherë do ta shpallim tenderimin, faktikisht ai që do ta merr parkingun. Do të jetë normal i hapur, do të jetë ndërkombëtar”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë për Alsat.

Kujtojmë që, po i njëjti ministër vitin që lamë pas kur erdhi në krye të Shëndetësisë kishte vendosur prioritet të parë këtë problematikë.

“Në programin tonë prioritet i parë do të jetë zgjidhja e kaosit të trafikut në Qendrën Klinike. Jemi konsultuar me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara që ta zgjidhim sa më shpejt. E dyta është azhurimi i listës pozitive, e cila nuk është përditësuar prej më shumë se 10 vitesh. Ne do t’i kushtojmë një fokus të veçantë kësaj dhe do t’i kontrollojmë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, rregulloret dhe gjithçka tjetër që duhet që të bëhet”, ka thënë Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë, vitin që lamë pas.

Ai gjatë prezantimit të prioriteteve të tij përgjatë qeverisjes me këtë Ministri ka përmendur metodat inovative për mjekim dhe trajtim si dhe rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Mes tjerash ai pati theksuar se rëndësinë e realizimit të projekteve për Qendrën e re urgjente të triazhit të mjekësisë interne, ndërtimi i Qendrës së re Klinike dhe rajonalizimi i infrastrukturës shëndetësore në vend. Dhe se për këto siç theksoi ai në program ka projekt të detajuar për realizimin e tyre.

Por, nuk duhet të merren aq seriozisht dhe aq të mirëqena këto prioritete e plane të në letër të këtij ministri aktual, sepse edhe shumë të tjerë para këtij pothuajse planet e njëjta i kishin por që fillonin dhe përfundonin mandatet pa i realizuar. Mbetet të shihet çfarë do të bëj Mexhiti edhe pe gjasat janë minimale për të shpresuar në diçka pozitive në këtë drejtim.

Ministria e Shëndetësisë ka një rëndësi të veçantë, nevoja për një Qendër të re Klinike është e padiskutueshme – 

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.

Qytetarët janë të bindur se ka edhe më shumë skandale financiare, krahas atij për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, por është çështje kohe deri sa të zbulohen, se buxheti i shtetit keqpërdoret e nuk menaxhohet në formën e duhur tashmë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët.

Se si menaxhohet buxheti në institucione të veçanta është shumë e lehtë të shihet gjendja reale dhe kuptohet qartësisht. Ta zëmë se kemi dilema në atë se si menaxhohet buxheti nga Shëndetësia, duke lënë anash këto skandale financiare, kuptohet me një vështrim të lehtë e të thjeshtë duke parë gjendjen katastrofale të spitaleve në vend, duke kujtuar situatën me pandeminë që në vend nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbimet e duhura.

Megjithatë, nëse premtimi për ndërtimin e Qendrës së re Klinike do të ishte realizuar deri më tani, qytetarët do të trajtoheshin në një Qendër të re Klnike, me kushte moderne e në mënyrë efikase, e me automatizëm do të ishte eliminuar edhe problemi apo kaosi me parkingun në Qendrën aktuale Klinike, sepse qytetarët do të kishin edhe një vend tjetër për trajtim,

Situata me pandeminë më lehtë e më mirë do të ishte menaxhuar sepse kishte pasur kapacitete të mjaftueshme, si kadrovike ashtu edhe me shtretër. Mbase, kriza shëndetësore me pandeminë dha përgjigjen e qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme është shëndetësia në vend. Por, edhe dy vite më vonë asgjë nuk ndikon pandemia që shëndetësia të përgatitet për situata të paparashikuara dhe të jetë në gjendje për të ofruar ndihmën e nevojshme për qytetarët e këtij vendi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More