Vendi fabrikë për kuadro që po na ikin

nga Xh M

Shkup, 1 mars – Maqedonia ngjashëm me shtetet e rajonit, është një fabrikë që përgatit kuadro për vendet e Bashkimit Evropian. Njëherësh Maqedonia po humb popullsinë e saj të re dhe të punës. Problemi i ikjes së trurit, i cili vazhdon prej dekadash, vetëm se po intensifikohet në periudhën e fundit. Demografët paralajmërojnë se emigracioni po bëhet më i theksuar dhe se një numër në rritje fshatrash janë boshatisur dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po hyjnë në pleqëri të thellë demografike. Të rinjtë dhe tashmë familje të tëra po largohen jashtë vendit, pa menduar të kthehen në vendlindje. Arsyet e largimit janë të ndryshme – nga fitimet më të mira deri te zhgënjimi me mosfunksionimin e shtetit.

Statistika po gjithnjë e më pak nxënës, shkollat po mbyllen dhe ky trend negativ është ndjerë për të dytën dekadë me radhë. Një proces i tillë është i vështirë për t’u parandaluar. Në 15 vjet, në shkollën fillore ka rreth 50 mijë nxënës më pak, dhe në shkollat e mesme rreth 30 mijë më pak. Sipas statisticienëve, rreziku është i lartë, sepse me largimin e të rinjve, Maqedonia e Veriut po humb një popullsi të konsiderueshme në moshë pune, gjë që ndikon në tregun e punës dhe shkakton mungesë të personelit të kualifikuar në vend. Nga ana tjetër, sipas një prej analizave të Fondacionit Fridrih Ebert, më shumë se gjysma ose 52,8 për qind e të rinjve në Maqedoni do të emigronin jashtë vendit.

PSE IKIN?

Analiza thotë se arsyeja më e zakonshme për të lëvizur jashtë vendit është përmirësimi i standardit të jetesës, aksesi në mundësi më të mira punësimi dhe arsimimi më i mirë. Motivi më i zakonshëm që të rinjtë të emigrojnë nga vendet e tyre janë faktorët dhe mundësitë ekonomike. Më shumë se dy të tretat (67.13 për qind) e të anketuarve theksuan avancimin financiar dhe profesional si arsye për emigracionin. Dëshira për të përmirësuar standardin e jetesës përmendet si motivi parësor për 27,78 për qind të të anketuarve… Mundësi më të mira punësimi (11,44 për qind) dhe më shumë mundësi arsimimi (shtatë për qind) janë arsye të tjera pse të rinjtë vendosin të largohen nga vendi…, thuhet në anketë.

Për 62 për qind të të anketuarve, korrupsioni është problemi më i madh me të çilin do të përballen vendet e tyre në dekadën e ardhshme, i ndjekur nga papunësia dhe emigracioni. Të rinjtë janë shpesh të parët që ndeshen me korrupsionin në sistemin arsimor, me rreth 61 për qind të të anketuarve që besojnë se notat dhe provimet mund të blihen në universitetet e vendeve të tyre.

Sipas hulumtimit, gratë tregojnë një dëshirë më të madhe për të përmirësuar standardin e tyre të jetesës (29.97 për qind) dhe i kushtojnë më shumë rëndësi mundësive arsimore (8.46 për qind). Burrat, nga ana tjetër, janë të shqetësuar për korrupsionin dhe klientelizmin në vend. Vlerësohet se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm që ka vendi. Çdo humbje e kapitalit njerëzor ndikon në trajektoren e përgjithshme të zhvillimit të vendit. Edhe praktika e përditshme e dëshmon se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar tashmë po minon potencialin e rritjes së kompanive që veprojnë në vend. Emigrimi sjell edhe humbje të mëdha për shtetin dhe ekonominë në Maqedoninë e Veriut. Analizat e auditimit apo revizionit kanë treguar se për një periudhë tetëvjeçare shteti ka investuar mesatarisht rreth 5 miliardë denarë në vit për 2500 persona, ose gjithsej 44.7 miliardë denarë për tërë periudhën.

Kjo është mbi 80 milionë euro në vit, ose humbje prej rreth 650 milionë euro për një periudhë tetëvjeçare. Por shifrat janë më të larta sipas përllogaritjeve të bëra nga auditorët për efektet totale ekonomike të eksodit, i cili shkon në 8.34 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit. Kjo është një shumë prej 458 milionë euro nëse marrim buxhetin e fundit për vitin 2024, i parashikuar në 5.5 miliardë euro.

SHIFRAT E HUMBJES

Auditimi arriti në këto shifra duke llogaritur 0.8 për qind të PBB-së që shteti kushton çdo vit për shkak të daljes së personelit, plus efektin e humbjes së PBB-së për shkak të emigrimit që vlerësohet në 5.15 për qind të PBB-së, dhe plus investimin në arsim që shteti ka bërë për këta njerëz prej 3.19 për qind të PBB-së. Kjo është e barabartë me 8.34 për qind të PBB-së në vit. Shteti investoi rreth 725 milionë euro për profesionistët me arsim të lartë që u larguan. Shpërngulja e tyre jo vetëm që i kushtoi buxhetit, por edhe Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili, sipas vlerësimeve të ekspertëve të revizonit apo auditimit humbi mbi 8 për qind në vit. Në terma monetarë, dëmi total llogaritet në rreth 1.1 miliardë euro në vit.

Me fjalë tjera me vite po ndodh që Ballkani është eksportues neto i kapitalit njerëzor, raporton Koha.

Ballkani Perëndimor tradicionalisht ka përjetuar nivele të larta emigracioni. Largimi i qytetarëve nga rajoni u rrit në fillim të viteve 1960, një periudhë në të cilën Jugosllavia kishte të njëjtat nivele papunësie me ato nivele që ka rajoni sot. Me shpresën për të lehtësuar presionin në tregun e punës dhe në ekonominë më të gjerë, si dhe duke njohur mundësitë që paraqiten jashtë kufijve të saj, qeveria jugosllave preferoi t’i lejonte punonjësit e papunë të lëviznin jashtë vendit, me mundësinë që ata të fitonin aftësi të reja, të dërgonin remitanca në shtëpitë e tyre, si dhe të ndihmonin në fuqizimin e investimeve vendase.

Shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, konfliktet e dhunshme dhe një tranzicion i ngadaltë nga një ekonomi e centralizuar te tregjet e hapura nxitën edhe një herë një emigrimin masiv nga Ballkani Perëndimor, duke zgjeruar komunitetet tashmë të mëdha në diasporë. Nga fundi i vitit 2013, 5.7 milionë njerëz me origjinë nga Ballkani Perëndimor jetonin jashtë vendeve të tyre, duke e çuar normën mesatare të emigrimit në rajon në 31.2%.

MOS ANËTARËSIMI NË BE DHE PASOJAT

Megjithatë, në vitet e fundit, rritja e ngadaltë, si dhe kushtet e këqija socio-ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndërthurura me perspektivat në rënie që këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, kanë krijuar një zhgënjim, i cili ka rezultuar në një valë të re emigrimi. Shpresa e vendeve të Ballkanit Perëndimor për konvergjencë me Bashkimin Evropian, një tranzicion, i cili do të krijonte kushte ligjore, ekonomike dhe sociale të krahasueshme me ato në vendet anëtare, nuk u bë kurrë realitet. Vendet e Ballkanit që u bashkuan me Bashkimin Evropian – Bullgaria, Rumania dhe Kroacia – kanë përfituar dukshëm nga kjo, veçanërisht duke përshpejtuar konvergjencën e PBB-së së tyre me mesataren e BE-së, e cila në të njëjtën kohë rezultoi në rritje të dallimeve me vendet e rajonit që janë ende jashtë bllokut. Ky hendek në rritje, sipas EU Observer, po bëhet gjithnjë e më i theksuar duke pasur parasysh vonesën e mëtejshme në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në vitin 2007, kur Bullgaria dhe Rumania u bashkuan me BE-në, diferencat midis PBB-së së tyre për frymë dhe atyre të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ishin relativisht të vogla. Kështu, PBB rumune për frymë ishte 10,800 euro dhe bullgare 10,000 euro, e cila ishte vetëm pak mbi gamën e sipërme të prodhimit të brendshëm bruto në Ballkanin Perëndimor, që varionte nga 5,800 euro në Shqipëri dhe në 9,800 euro në Mal të Zi.

Por një dekadë e gjysmë më vonë, hendeku i PBB-së midis Rumanisë dhe Bullgarisë dhe pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor është zgjeruar ndjeshëm. Në vitin 2023, PBB-ja për frymë e Rumanisë arriti në 30,000 euro, 20 për qind nën mesataren e BE-së, dhe ajo e Bullgarisë u rrit në 24,200 euro. Në të njëjtën kohë, Mali i Zi vitin e kaluar kishte një PBB për frymë prej 19.500 euro dhe Shqipëria 13.300 euro, që është më e ulëta në rajon. Kjo, sipas EU Observer, ngre pyetjen teorike që mund të mos ketë kurrë një përgjigje reale: Cili do të ishte niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto së vendeve të Ballkanit Perëndimor sot nëse edhe ato do të ishin anëtarësuar në BE në vitin 2007?

Pyetja është veçanërisht interesante nëse marrim parasysh se kapaciteti institucional i Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 nuk ishte shumë më i mirë se ai i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kështu, atë vit, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në Rumani, Bullgari dhe në vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Shqipërisë, ishte në thelb tre, me diferenca të vogla në numra dhjetorë. Prandaj, duke marrë parasysh përfitimet e anëtarësimit në BE, si aksesi në tregun e përbashkët evropian, rritja e investimeve të huaja direkte dhe ndihma nga fondet e kohezionit, ka shumë të ngjarë që PBB-ja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëse do të ishin anëtarësuar në BE në vitin 2007, tani do të ishte shumë më afër asaj të Bullgarisë.

Sipas EU Observer, BE-ja duhet të marrë masa për të parandaluar divergjencën e mëtejshme të PBB-së në vendet e Ballkanit, ndoshta duke “hapur” fondet e kohezionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të merrnin fonde prej tyre në këmbim të zbatimit të reformave shumë më të rrepta.

Presioni i dobët i reformës u shërben vetëm grupeve të interesit që përfitojnë nga status quo-ja. Deri në vitin 2030, vendet e rajonit duhet t’i bashkohen BE-së si anëtarë të plotë. Çdo qasje tjetër vetëm sa do të zgjasë gjendjen e pasigurisë dhe do të zgjerojë hendekun e PBB-së në Ballkan, përfundon analiza.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More