Vendi në fazën e verdhë fati i punëtorëve të ndërtimtarisë në duar të askujt!

nga I.A

Shkup, 18 korrik – Edhe pse temperaturat e larta kanë arritur majat dhe i nxehti po kulmon me çka vendi është futur në fazën e verdhë. Jo të gjithë qytetarët kanë fatin e mundësinë por edhe përgatitjen profesionale që të punojnë nga zyra të klimatizuara apo në ambiente të mbyllura. Një pjesë e madhe e tyre punojnë jashtë në kushte klimatike shpesh herë të papërballueshme, herë nga i ftohti i tepërt e gjatë sezonës së verës nga i nxehti ekstrem. Edhe pse ndizen zjarre nga i nxehti, ka alivanosje e çka do tjetër akoma nuk është marrë asnjë masë konkrete. Për dallim prej Maqedonisë së Veriut në shtetin fqinjë Kosovë është marrë vendim i cili ndalon punën në ndërtimtari në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në orën 17:00, në të gjithë territorin e vendit, shkruan Zhurnal.

Punëtorët e ndërtimtarisë në RVM përballen me pakujdesi në kulmin e temperaturave të nxehta –

Edhe pse sektori i ndërtimtarisë ndodhet në krizë të thellë sërish pakujdesia ndaj këtij sektori është e ngjashme. Në kulmin e temperaturave të nxehta të punësuarit e ndërtimtarisë janë të obliguar që të mbajnë orarin e plotë të punës në të kundërtën nuk paguhen. Të punosh në temperatura mbi 30 grad pa ndërprerje në ambient të jashtë punë të rëndë fizike kalohet në maltretim njerëzor.

Derisa Maqedonisë së Veriut nuk i shkon ndërmend kujdesi për këta punëtorë pa të cilët nuk mund të ndërtohen as shkolla e as spitale, as rrugë e as shtëpi, shteti fqinjë Kosova ka menduar pikërisht për këta punëtorë e ka sjellë një vendim shumë të rëndësishëm.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka urdhëruar kufizim të orarit të punës në vend për kategori të caktuara, nga 13 deri më 20 korrik, për shkak të temperaturave të larta me të cilat po përballet vendi. Sipas një vendimi të publikuar nga Ministria të premten në Facebook, gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna gjatë shtatë ditëve të ardhshme, ose duhet t’u mundësohet të punojnë nga shtëpitë e tyre.

Temperaturat të premten arritën deri në 36 grandë në Kosovë dhe pritet që kjo valë e nxehtësisë të vazhdojë së paku edhe një javë. Punëtorët me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, deri në katër orë në ditë, tha ajo.

Vendimi ndalon punën në ndërtimtari në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në orën 17:00, në të gjithë territorin e vendit. Ministria tha se, varësisht se si do të jenë temperaturave gjatë këtij muaji dhe muajit gusht, ajo mund të ndërmarrë masa të tjera.

“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, tha Ministria.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i udhëzoi qytetarët këtë javë që të mbrohen nga vala e nxehtësisë. “Vala e të nxehtit që po dominon këtyre ditëve mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve dhe sidomos të grupeve të cenueshme”, tha IKSHPK.

Sektori i ndërtimtarisë në Maqedoninë e Veriut në krizë të thellë, punëtorë të shumtë largohen –

Vetëm nga sektori i ndërtimtarisë janë larguar rreth 12 mijë punëtorë gjatë vitit të kaluar, e ky fakt është shqetësues thonë nga sindikata e ndërtimtarisë. Kryetari i kësaj sindikate Ivan Peshevski thotë se punëtorët ende nuk janë në pozitën që duhet, ndonëse në vitin që lamë pas arritën një sukses duke nënshkruar marrëveshjen kolektive për të punësuarit në sektorin publik.

“Pagat janë vazhdimisht në rritje, por për ne si përfaqësues të sindikatave mendojmë se ende nuk mjaftojnë për të mbajtur punëtorët, duke pasur parasysh se në sektorin e ndërtimit vitin e kaluar janë larguar rreth 12 mijë punëtorë dhe kjo është një fakt shkatërrues, për një shtet që aspiron për në Bashkimin Evropian. Thjesht t’i largojë punëtorët në perëndim për kushte më të mira dhe paga më të larta në vend që punëdhënësit dhe shteti t’i mbajë ata këtu”, tha Ivan Peshevski, për TV21 nga Sindikata e Ndërtimtarisë dhe Industrisë.

Kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari dhe Industri Ivan Peshevski, thotë se sektori i ndërtimtarisë ka ndikimet më të këqija të jashtme dhe kushte të tilla pune që nuk respektohen siç duhet me mjete mbrojtëse personale.

“Për sa i përket sektorit privat, punëtorët në një pjesë të madhe të kompanive janë të ekspozuar ndaj presioneve të tmerrshme për shkak të kushteve të këqija të punës, mund të marrim ndërtimtarinë, industrinë e metaleve, agrokompleksin etj., ku në ditët intensive të ngjeshur atje vërtet punohet jashtë orarit dhe shumë orë te paregjistruara, ku raportojmë vazhdimisht në inspektoratin shtetëror të punës”, ka deklaruar Peshevski.

Më 17 nëntor, gjatë gërmimit për ndërtimin e një objekti, në rrugën “Pirinska” në Shkup ka humbur jetën një punëtor i cili drejtonte ekskavatorin. Pas hetimit të bërë nga Inspektorati i punës doli se gropa e ndërtimit nuk ishte i siguruar siç duhej dhe nuk janë ndërmarrë kushte të sigurta për punëtorët. Ky është rasti i fundit i vdekjes së një punëtori në vendin e punës, në fakt vetëm një nga 16 rastet të cilët ka evidentuar Inspektorati i punës për vitin 2023, ndërkaq numri i personave të lënduar për vitin që lamë pas gjatë kryerjes së punës është 2005.

Kjo flet që punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë trajtohen sikur robër që përpos që nuk u paguhet mundi i tyre fizik nuk arrijnë dot të krijojnë kushte të sigurta pune. Pra, një punëtori në ndërtimtari i duhet të marr parasysh edhe rrezikun që mund t’i cenohet çdo ditë pune e drejta për të vazhduar për të jetuar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More