Vendim historik që Qeveria të kthejë fokusin në zhvillimin e kompanive vendase!

nga I.A

Shkup, 30 janar – Derisa nuk u kushtohet rëndësi e nuk u ofrohet ndihmë bizneseve e kompanive vendase me ose pa dashje do të krijohet një varësi e pakompromistë ndaj importit të jashtëm, mbase edhe për produkte bazike. Kjo pastaj u kushton qytetarëve, sepse për sjelljen e atij produkti deri në vendin tonë ka shpenzime shtesë që pastaj deri në treg apo raftin e marketit çmimi i atij produkti do të jetë më i lartë, në krahasim me çmimin e një produkti që prodhohet në vendin tonë. E për të ndodhë kjo duhet mbështetje e parezervë ndaj kompanive vendase nga institucionet e këtij vendi, në këtë drejtim ka vepruar edhe qeveria aktuale, shkruan Zhurnal.

250 milionë euro për zhvillim të kompanive vendase, shifër historike –

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendim me të cilin vihen në dispozicion për ekonominë 250 milionë euro për investime dhe zhvillim të kompanive vendase.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha se kjo shumë historikisht më e madhe deri më tani vihet drejtpërdrejt në dispozicion të ekonomisë dhe paraqet vendimin e parë me një shumë të tillë që shteti ka siguruar për ekonominë, kompanitë dhe firmat vendase.

Durmishi tha se këto mjete kompanitë do të mund të përdorin me norma interesi super të ulëta, për kushtet e sotme të tregut.

“Këto mjete janë nga linja kreditore hungareze, ndërsa metodologjia sipas së cilës këto mjete do të jenë të disponueshme për kompanitë do të zhvillohet përmes Ministrisë së Financave e cila, me qëllim krijimin e linjës kreditore për financimin e investimeve dhe zhvillimin e shoqërive tregtare private, ka miratuar një hua pa interes për Bankën për Zhvillim në shumë prej 250.000.000 euro.

Banka për Zhvillim do t’i vërë në dispozicion bankave pjesëmarrëse këto mjete përmes një Marrëveshjeje Kornizë për Pjesëmarrje, me qëllim financimin e investimeve dhe zhvillimin e subjekteve tregtare private të regjistruara në Regjistrin Tregtar. Afati maksimal është ai që u përmend, deri në 15 vite, duke përfshirë një grejs periudhë deri në 3 vite për bankat pjesëmarrëse. Data përfundimtare është 15 vite nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Huamarrjes”, tha ministri i Ekonomisë Besar Durmishi.

“Bankat do të miratojnë kreditë për përfituesit përfundimtarë, ku mjetet mund të përdoren për: Investime në asete fikse. Përfituesi përfundimtar është i detyruar të kontribuojë me minimum 20% të vlerës së investimit. Norma e interesit vjetor mbetet 1.95%, siç është tashmë e njohur për opinionin vendor, pa tarifa shtesë për miratim, menaxhim apo shlyerje të parakohshme të kredisë. Shuma maksimale e kredisë do të jetë deri në 10 milionë euro në kundërvlerë denarësh”, shtoi Durmishi.

Rritja ekonomike rrit mundësitë për të jetuar në vend –

Në fokusin e Qeverisë së Maqedonisë është ekonomia dhe në 6 muajt e fundit të mandatit të saj, ajo i ka dedikuar rëndësi ndryshimeve që do të sjellin parashikueshmëri për investitorët dhe kushte më të mira për investime. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila ishte referuese në Forumin “Invisso”, që njihet paraprakisht si Euromoney, i cili po mbahet në Vjenë. Fjalim referues pati edhe zëvendëskryetari i parë i BERZH-it, Jurgen Rigterink, guvernatori i Bankës Qendrore i Austrisë dhe anëtari i BD-së i Bankës Qendrore Evropiane, Robert Holzmann, zëvendësministrja e Financave të Gjeorgjisë, Ekaterine Guntsadze dhe zëvendëskryetari rajonal për rajonin në Korporatën Ndërkombëtare Financiare i Bankës Botërore, Alfonso Garcia Mora.

“Në këta gjashtë muaj që nga marrja e pushtetit, jemi të fokusuar në ekonominë dhe në atë se çfarë duhet të ndryshojmë dhe çfarë është e rëndësishme për investitorët. Në 7 vitet e fundit janë bërë shumë ndryshime në politikën tatimore dhe për këtë ne themi se duhet të kemi politikë tatimore të parashikueshme, tatim me normë fikse, me ç’rast, ashtu si në periudhën paraprake, edhe gjatë 4 viteve të ardhshme, do të jetë periudhë e qëndrueshme dhe nuk do të bëjmë asnjë ndryshim. Kjo është e rëndësishme që kompanitë të jenë në gjendje t’i bëjnë planet e tyre”, theksoi ministrja.

Kostoja e jetesës rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.

Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta. Prandaj, masa e qeverisë për t’i ndihmuar bizneset do të ndikojë drejtpërdrejt në ndihmën e xhepave të qytetarëve. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More